UEFA mendon një format të ri për finalen e Superkupës

- Bota Sot

UEFA mendon një format të ri për finalen e Superkupës

Fitorja e Paris Saint-Germain ndaj Tottenham-it mund të jetë edicioni i fundit i Superkupës së Europës me formatin aktual.

Sipas Daily Telegraph, UEFA po shqyrton mundësinë e zgjerimit të turneut duke ftuar edhe dy skuadra të tjera, duke ndjekur shembullin e formatit të ri të Superkupës së Italisë.

Në versionin e ri, përveç fituesve të Champions League dhe Europa League, mund të marrin pjesë edhe finalistet e këtyre dy kompeticioneve, ose në alternativë, fituesja e Conference League.

Kjo do të sillte zhvillimin e dy gjysmëfinaleve dhe më pas finalen, në vend të ndeshjes unike që luhet aktualisht.

Ndryshimi nuk do të ndalej vetëm te formula e garës. UEFA po mendon edhe për zhvendosjen e Superkupës jashtë Europës, me SHBA-në dhe vendet e Lindjes së Mesme që konsiderohen favorite për të pritur eventin.

Një faktor vendimtar është edhe bashkëpunimi me kompaninë amerikane Relevent, partneri i ri për shitjen e të drejtave televizive të UEFA-s.

Ky zhvillim mund të jetë një provë gjenerale për atë që presidenti Aleksander Ceferin ka përmendur më herët: mundësinë që edhe ndeshjet e Champions League të zhvillohen në të ardhmen në tokën amerikane.



Lexoni të gjitha në Bota Sot