I preu hundën statujës së Zlatan Ibrahimoviçit

- Bota Sot

I preu hundën statujës së Zlatan Ibrahimoviçit

Vandalizimi i statujës së Zlatan Ibrahimoviç në Malmo ka qenë në qendër të vëmendjes për vite me radhë.

Tani, personi që qëndron pas njërit prej akteve më të bujshme, prerjes së hundës së statujës së futbollistit legjendar ka dalë publikisht për herë të parë.Në dokumentarin e ri “Zlatan, Malmo dhe Dashuria e Thyer”, i cili trajton marrëdhënien e prishur mes Ibrahimoviçit dhe tifozëve të Malmo FF, një person anonim, me identitet të fshehur dhe zë të ndryshuar, pranon hapur veprimin.

“Në fakt, doja ta rrëzoja të gjithë statujën. Ideja ishte kjo: ‘Unë jam Zlatani, mund ta bëj këtë dhe ata do të më duan sërish.’ Jo, dreqi ta hajë, o njeri, ne do ta rrëzojmë statujën tënde”, shprehet ai.

Mospajtimet e tifozëve nisën në fund të vitit 2019, kur Ibrahimoviç u bë bashkëpronar i klubit rival Hamarby. Kjo u konsiderua tradhti në Malmo dhe statuja e ngritur para stadiumit u shndërrua në objekt zemërimi.

Në muajt që pasuan, statuja u rrëzua disa herë, u spërkat me bojë, u “zbukurua” me një kapak tualeti dhe përfundimisht humbi hundën.

“Nuk do të largohesha pa dëmtuar diçka. Këto janë fjalët që i thashë shokut tim. Ai propozoi: ‘Le t’ia presim hundën.’ Dhe kështu bëmë”, kujton autori.

Sipas dokumentarit, pas aktit, autorët e festuan duke pirë birrë gjatë gjithë natës dhe duke bërë fotografi me trofeun e tyre të pazakontë. Statuja u hoq në vitin 2020 për restaurim dhe aktualisht mbahet në një vend sekret. Megjithatë, autoritetet planifikojnë ta rikthejnë në Malmo, edhe pse ajo mbetet një simbol i debatueshëm në qytet.



Lexoni të gjitha në Bota Sot