Gjyqtarët e Premier Ligës janë udhëzuar të ndërmarrin veprime më të ashpra kundër lojtarëve që pengojnë dhe mbajnë nga fanelat kundërshtarët në zonën e penalltisë.
Howard Webb, një ish-gjyqtar ndërkombëtar dhe tani drejtor ekzekutiv i trupit të gjyqtarëve PGMOL, tha të enjten, përpara ndeshjes hapëse midis Liverpool dhe Bournemouth (e premte, ora 21:00), se rezultatet e një hetimi të kohëve të fundit të Premier Ligës kishin zbuluar se "shumë" faulle të tilla të hapura po kalonin pa u ndëshkuar.
Ai shtoi se VAR mund të ndërhyjë në situate, kur një lojtar e tërheq qartë një tjetër, e rrëzon përtokë, madje edhe larg topit. "Do të prisja, që nëse do të ishim ulur rreth kësaj tavoline në këtë kohë vitin tjetër, të ketë disa penalizime më shumë për tërheqje të fanelës sesa pamë (sezonin e kaluar)", tha ai.
"Por jo një ndryshim rrënjësor, pasi kjo do të ishte shumë e vështirë për tu mbajtur për një periudhë të gjatë kohore."
Webb tha se do të kishte ende "disa situata të paqarta ku vendimi i gjyqtarit do të qëndronte në fuqi", si kur arbitri e gjykonte kontaktin si shumë të lehtë ose të ndërsjellë, pa qenë e qartë se cili lojtar ishte fajtor.