Një spanjoll dhe një emër i njohur i La Liga-s kryesojnë listën e trajnerëve me shpenzimet më të mëdha në historinë e merkatos. Në këtë renditje nuk figurojnë emra si Ancelotti apo Klopp, por nuk mungojnë disa nga figurat më të njohura të pankinës.
Pep Guardiola ka hyrë në historinë e merkatos në vitin 2025 si trajneri i parë që kalon shifrën 2 miliardë euro të investuara në blerje lojtarësh gjatë karrierës. Me 17 sezone në elitë, tekniku i Manchester City-t numëron tre tituj të Champions League dhe një duzinë kampionatesh kombëtare të fituara.
Ai e nisi karrierën te Barcelona, ku blerja më e shtrenjtë ishte ajo e Zlatan Ibrahimoviçit në vitin 2009 për 70 milionë euro, plus kartonin e Samuel Eto’o-së. Te Bayerni, shpenzimet ishin më të moderuara, me rekordin prej 40 milionë eurosh për Arturo Vidal dhe Mario Götze.
Gjërat ndryshuan te Manchester City, ku që nga sezoni 2016-2017 janë investuar mbi 1.2 miliardë euro për skuadrën e tij. Transferimi më i shtrenjtë ka qenë Jack Grealish për 117 milionë euro nga Aston Villa në sezonin 2021-2022. Guardiola është gjithashtu i njohur për investimet marramendëse në mbrojtje: Stones, Laporte, Aké, Ruben Dias, Joao Cancelo, Benjamin Mendy dhe Kyle Walker kanë kushtuar së bashku mbi 400 milionë euro.
Simeone, 700 milionë më pak
Pas Guardiolës renditet Diego Pablo Simeone, me 1.31 miliardë euro të shpenzuara te Atletico Madrid që nga viti 2011. Argjentinasi ka pasur gjithmonë një buxhet të qëndrueshëm dhe sezonin e kaluar ishte trajneri që shpenzoi më shumë në Spanjë (gati 250 milionë euro). Blerja më e shtrenjtë? Joao Félix për 127 milionë euro, një investim që nuk dha rezultatet e pritura.
Tri surpriza: Allegri, Tuchel dhe Conte
I treti në listë është Massimiliano Allegri me 1.2 miliardë euro të shpenzuara, kryesisht tek Juventusi dhe Milani. Transferimi i tij më i madh ishte ai i Cristiano Ronaldos në vitin 2018 për 117 milionë euro, pa arritur të fitonte Champions League.
Në vend të katërt është Thomas Tuchel me 1.19 miliardë euro. Gjermani ka drejtuar Bayernin, Chelsea-n, PSG-në dhe Borussia Dortmund-in, duke fituar një Champions League me londinezët. Blerja më e madhe e tij ka qenë Kylian Mbappé për 180 milionë euro te PSG në vitin 2018.
Lista mbyllet me Antonio Conte-n, kampion aktual i Serie A me Napolin, me 1.16 miliardë euro të investuara gjatë karrierës. Juventus, Chelsea, Inter dhe Tottenham i kanë besuar suksesin e tyre. Conte ka fituar gjashtë kampionate, ndërsa blerja e tij më e shtrenjtë ka qenë Álvaro Morata për 80 milionë euro te Chelsea.