Shkëndija e Tetovës të shtunën si mysafire ndeshet me Makedonija Gj.P. në ndeshjen e dytë të sezonit të ri 2025/2026.
Për gjendjen e skuadrës dhe pritjet nga ky duel flet kapiteni, Besart Ibraimi.
Ndeshja Makedonija Gj.P.-Shkëndija luhet të shtunën në stadiumin në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit me fillim në orën 17:00.
Emocionet nga suksesi evropian…
Besart Ibraimi: “Është e vërtetë se kemi edhe shumë emocione, por edhe lodhja është aty dhe ka ndikim në paraqitjet tona.
Mirëpo duhet të jemi shumë të sinqertë së pari me veten, pastaj edhe me tjerët. Të gjithë e dimë se Shkëndija tashmë ka bërë diçka shumë të madhe dhe ne do jemi në fazën e grupeve. Njëkohësisht e dimë se vetëm përmes kampionatit sigurohet dalja në Evropë dhe për këtë arsye kampionati duhet respektuar maksimalisht. Kemi punuar në rikuperim dhe besoj të shtunën të jemi në versionin më të mirë.”
Makedonija Gj.P.…
Besart Ibraimi: “Për ne çdo ndeshje është e vështirë, pasi rivalët ndaj neve japin 200% dhe për këtë duhet të jemi të kudjesshëm maksimalisht. Është vetëm java e dytë dhe nuk është se e njohim shumë kundërshtarin, mirëpo nga analizat e stafit teknik mendoj se e dimë çka të presim. Të futemi në fushë për të bërë lojë tonë dhe detyrat që na jepen, me besim se do të dalim me rezultatin e dëshiruar”.
Momentum historik…
Besart Ibraimi: “Sigurisht se po. Shfryëzoj rastin që të falënderoj publikun për mbështetjen.
E di se disfata solli dëshpërim, por nuk guxojmë të harrojmë se jemi në momentin që gjithë kemi ëndërruar.
Përballë jemi rivalë që rregullisht kanë luajtur në grupet e Kupave të Evropës.
Të gjithë duam vetëm fitore, por pasi kemi siguruar minimalisht grupet e Conference League, nuk guxojmë të dëshpërohemi nga humbja e fundit. Do provojmë më të mirën ndaj Ludugoretsit, por sido që të shkojnë ato ndeshje, ne sërish kemi shkruar histori dhe na duhet të jemi të bashkuar për të pasur vazhdimësi. Prandaj, në këtë moment më e rëndësishme është ndeshja me Makedonija Gj.P.”.