Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Danimarkën jugore, kur një tren përplasi një cisternë me llum dhe doli nga shinat, duke shkaktuar të paktën një të vdekur dhe disa të plagosur.
Sipas autoriteteve, përplasja ka ndodhur midis qyteteve Tinglev dhe Kliplev në jug të Jutlandës
Policia e ka konfirmuar se forcat e sigurisë janë në vendngjarje, ndërsa helikopterë janë dërguar për të ndihmuar në shpëtimin e të plagosurve. Sipas raporteve të portalit lokal TV2, treni ka përplasur një cisternë me llum në një kalim hekurudhor.
Operatori hekurudhor DSB njoftoi se shërbimet midis Tinglev dhe Sønderborg, afër kufirit gjerman, janë pezulluar. Pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes tregojnë një vagon të shtrirë përmbys dhe pasagjerë që qëndrojnë pranë shinave të trenit. Policia ka konfirmuar se në bord ndodheshin 95 pasagjerë, përfshirë nxënës nga një shkollë në Sønderborg. Dy të plagosurit më rëndë u transportuan me helikopter.
Agjencia kombëtare hekurudhore, Banedanmark, njoftoi se përplasja ka ndodhur në një kalim hekurudhor, dhe sipas mediave lokale, dy vagonët e trenit kanë dalë nga shinat. Hetimet janë në vazhdim për të zbardhur rrethanat e plota të këtij aksidenti tragjik.