Babai francez harron pas dy vajzat e tij të mitura në një pikë pushimi në Itali

- Bota Sot

Babai francez harron pas dy vajzat e tij të mitura në një pikë pushimi në Itali

Një moment pakujdesie që mund të kishte përfunduar shumë më keq, por që për fat të mirë u zgjidh pa pasoja të rënda.

Kjo është ‘fotografia’ e asaj që ndodhi disa ditë më parë me një baba francez, i cili po kalonte pushimet në Itali me dy vajzat e tij të mitura.

Ngjarja ka ndodhur më 12 gusht, kur burri ishte ndalur në pikën e shërbimit Paganella Est në autostradën A22 Brennero, gjatë një udhëtimi në kuadër të pushimeve verore.

Pas ndalesës, ai u rikthye në makinën e tij dhe u nis sërish, duke menduar se vajzat 8 dhe 10 vjeç, po flinin në sediljen e pasme.

Por në fakt, të dyja kishin mbetur brenda ambienteve të autogrillit.

Personeli i pikës së shërbimit vuri re vajzat e vogla, të cilat ishin të qeta, por të hutuara dhe të vetme. Ato nuk dinin të komunikonin në italisht, çka e bëri situatën më të ndërlikuar.

Menjëherë u njoftua Policia Rrugore, dhe një patrullë nga nënstacioni i Trentos mbërriti shpejt në vendngjarje për të marrë në kujdes vajzat.

Dy oficerët arritën të siguronin numrin e celularit të babait dhe ta kontaktonin atë. Ai po vazhdonte udhëtimin drejt kufirit, pa vënë re mungesën e vajzave në makinë.

Pas telefonatës, ai u kthye menjëherë mbrapsht. Policia rrugore kontaktoi gjithashtu edhe nënën e vajzave, e cila gjithashtu ndodhej në Itali për pushime.

Rezulton se prindërit e vajzave janë të ndarë dhe ndajnë kujdestarinë e fëmijëve, por në ditën e ngjarjes, përgjegjësia për kujdesin u takonte babait.

Nëna arriti në pikën e shërbimit pas disa orësh dhe u ribashkua me vajzat, e lehtësuar që gjithçka përfundoi mirë.

Vlen të përmendet ndërhyrja e shpejtë dhe kujdesi i treguar nga punonjësit e pikës së shërbimit dhe oficerët e policisë, të cilët, gjatë pritjes, luajtën me vajzat për t’i qetësuar dhe për të shmangur ndonjë traumë.

Në fund të ngjarjes, vajzat iu kthyen prindërve, por episodi është raportuar në Prokurori dhe në Gjykatën për të Mitur në Trento për shqyrtim të mëtejshëm.



Lexoni të gjitha në Bota Sot