Disa nga ekipet e Serie A kanë luajtur sot ndeshjet e fundit miqësore në prag të sezonit të ri, që nis zyrtarisht fundjavën e ardhshme. Në “San Nicola” në Bari, Inter fitoi 2:0 ndaj Olympiacos.
Zikaltrit shënuan nga një gol në secilën pjesë.
Në minutën e 16-të ishte Dimarco që zhbllokoi shifrat pas asistit të Lautaro Martinez. Në pjesën e dytë, ishte Marcus Thuram që dyfishoi shifrat në minutën e 52-të. Kristjan Asllani luajti 10 minutat e fundit në vend të Barella.
Në Bergamo, Atalanta u përball me Juventusin, ku bardhezinjtë fituan 1-2. Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola. Në pjesën e dytë, bardhezinjtë gjetën dy herë rrjetën brenda pak minutave.
Në minutën e 72-të, ishte transferimi i kësaj vere, Jonathan David, i cili zhbllokoi shifrat me një gol të bukur, pas një veprimi akrobatik. 4 minuta më pas ishte Dusan Vlahovic që dyfishoi shifrat. Lazar Samardzic ngushtoi shifrat në 1-2 në fund të takimit.