Zyrat e Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet janë djegur gjatë natës së pestë radhazi me trazira, ku pati përleshje të reja midis protestuesve antiqeveritarë dhe policisë së trazirave.
Policia në qytetin e Valjevës thuhet se përdori granata tymuese dhe gaz lotsjellës ndaj protestuesve, pasi një grup i vogël individësh të maskuar sulmuan objektet e SNS-së.
Pati akuza për dhunë dhe brutalitet policor në kryeqytet, Beograd, dhe Novi Sad. Ministria e brendshme e Serbisë i ka mohuar këto akuza, shkruan BBC.
Kjo vjen ndërsa Rusia u zotua të ndihmojë presidentin pro-Moskës, Aleksandar Vuçiq, i cili drejton SNS-në, duke thënë se ajo nuk do të “mbetet pa reagim”.
Protestat u shkaktuan fillimisht nga shembja e një stacioni hekurudhor në Novi Sad në nëntor të vitit të kaluar që vrau 16 persona, me shumë që fajësuan korrupsionin dhe shkurtimet e buxhetit nga qeveria e Vuçiçit për katastrofën.
Ndërsa demonstratat kundër korrupsionit kanë tërhequr qindra mijëra protestues , ato kishin qenë kryesisht paqësore deri në përplasjen e së mërkurës, kur besnikët pro-qeveritarë organizuan kundërdemonstrata.
Të shtunën në mbrëmje, policia u vendos përsëri në një numër qytetesh, përfshirë Beogradin, ndërsa njerëzit morën pjesë në demonstrata për të kërkuar zgjedhje të parakohshme.
Zyrat dhe flamujt që përfaqësonin partinë SNS të Vuçiçit kishin qenë në qendër të zemërimit të protestuesve.
Protestuesit thyen gjithashtu dritaret e selisë së Partisë Radikale Serbe, një partner i koalicionit të SNS-së.
Javën e kaluar, janë raportuar të lënduar në protesta në të gjithë vendin dhe një video e paverifikuar ka qarkulluar në mediat sociale ku shihet policia duke rrahur një burrë në Valjevo.
Michael OFlaherty, komisioneri i Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut, shprehu shqetësim të premten në lidhje me "forcën joproporcionale të policisë" në Serbi, duke u kërkuar autoriteteve të "i japin fund arrestimeve arbitrare dhe të qetësojnë situatën".
Vuçiq iu përgjigj zhvillimeve të së shtunës në Instagram, duke shkruar se “dhuna është një shprehje e dobësisë totale” dhe duke premtuar se do të “ndëshkojë ngacmuesit”.
Ai ka hedhur poshtë vazhdimisht thirrjet për zgjedhje të parakohshme dhe i ka denoncuar demonstratat si pjesë të një komploti të huaj për ta rrëzuar atë.
Ministria e Jashtme e Rusisë i ka ofruar mbështetjen e saj presidentit pro-Moskës dhe të krahut të djathtë.
Në një deklaratë thuhej se “nuk mund të qëndrojmë të pandjeshëm ndaj asaj që po ndodh në Serbinë vëllazërore”.
Në deklaratë thuhej se policia po “përdorte metoda dhe mjete të ligjshme për të përmbajtur turmat e dhunshme” dhe se “rendi publik, siguria dhe jetët njerëzore” ishin në rrezik.
Protestat kanë përfshirë Serbinë pothuajse çdo ditë që nga shembja e stacionit hekurudhor të Novi Sadit.
Tragjedia u bë simbol i korrupsionit të rrënjosur në kombin ballkanik, me thirrjet fillestare për hetime transparente që u rritën në kërkesa për zgjedhje të parakohshme dhe fundin e mbretërimit 12-vjeçar të Vuçiqit.
Në kulmin e tyre, protestat tërhoqën qindra mijëra njerëz në rrugë.