Mbrëmjen e sotme në “San Siro” nis zyrtarisht epoka e re e Milanit e ndërtuar nga Igli Tare dhe Massimiliano Allegri.
Kuqezinjtë përballen me Barin (ora 21:15) në raundin e 1/32 të Kupës së Italisë, në një sfidë me eliminim direkt që shënon hapjen e sezonit 2025/26.
Allegri nuk do të jetë në pankinë për shkak të skualifikimit që e shoqëron ende nga finalja e vitit 2024 mes Juventusit dhe Atalantës, por në drejtimin e skuadrës do të jetë ndihmësi i tij, Marco Landucci. Pavarësisht mungesës, zgjedhjet e teknikut janë të qarta: mbrojtje me tre dhe hapësirë për lojtarët që kanë zhvilluar të plotë fazën përgatitore.
Para portierit Mike Maignan pritet të luajnë Tomori, Gabbia dhe Pavloviç, ndërsa De Winter ende nuk është në formën më të mirë. Në krahun e majtë favorit është Estupinan, ndërsa në të djathtën do të jetë Saelemaekers, një nga më të spikaturit gjatë fazës së verës. Në mesfushë, Ricci do të ketë rolin e organizatorit, me Fofana dhe Loftus-Cheek si mezzala. Modric dhe Jashari duhet të presin ende për debutimin e tyre.
Në sulm, Allegri (nga larg) ka zgjedhur lojtarë të shpejtë dhe teknik: Rafael Leao me Christian Pulisic, ndërsa blerja e re Santiago Gimenez do ta nisë ndeshjen nga stoli, në pritje të risi të tjera nga merkatoja.