Fabio po shkon drejt thyerjes së rekordit të Peter Shilton

- Bota Sot

Fabio po shkon drejt thyerjes së rekordit të Peter Shilton

Portieri brazilian i Fluminense, Fabio, po shkon drejt thyerjes së rekordit historik të legjendës angleze Peter Shilton për numrin më të madh të paraqitjeve.

Të shtunën, në fitoren 2-1 të Fluminense kundër Fortaleza në Serie A të Brazilit,ai ka barazuar shifrën e portierit anglez prej 1390 ndeshjesh zyrtare.

Dyzet e katër vjeçari, ka një karrierë profesionale që zgjat prej njëzet e tetë vitesh. Ai ka luajtur për Uniao Bandeirante (30 ndeshje), Vasco da Gama (150), Cruzeiro (976) dhe së fundmi për Fluminense (234). Ky total është konfirmuar nga klubi dhe nga mediumi brazilian Globo Esporte.

“Zoti ma ka dhënë këtë dhuratë. Jam mirënjohës për familjen, miqtë dhe bashkëlojtarët e mi. Pa Zotin asgjë nuk do të ishte e mundur. Ndeshjet janë të vështira, por ne gjithmonë luftojmë për objektivat tanë, që janë trofetë”, është shprehur Fabio pas ndeshjes.

Nëse do të luajë të martën kundër skuadrës kolumbiane America de Cali në Kupën e Sudamericana, Fabio do ta kalojë përfundimisht rekordin e Shiltonit. 

Shilton, i cili luajti mes viteve 1966-1997, ka thënë më herët se nëse ia del ta thyejë rekordin ai do të jetë i pari që do ta përgëzojë brazilianin.



Lexoni të gjitha në Bota Sot