Nazmi Raci - nga futbollisti, te gjyqtari e deri te drejtuesi i sportit në Mitrovicë

- Bota Sot

Nazmi Raci - nga futbollisti, te gjyqtari e deri te drejtuesi i sportit në Mitrovicë

Si gjithmonë kontribues i madh jo vetëm në futboll.

Si futbollist e pastaj si gjyqtar i futbollit la gjurmë të pashlyeshme, tani po tregon veten edhe si drejtues i sportit në komunën e Mitrovicës.

Është fjala për Nazmi Raci. 

Është i lindur në Mitrovicë, karrierën e tij sportive e nisi si futbollist në klubet vendore, ku u dallua për pasionin dhe disiplinën e tij në fushë. Pas disa vitesh si lojtar aktiv, ai vendosi të vazhdojë rrugën në një drejtim tjetër të futbollit, atë të gjyqtarit.

Për 17 vite rresht, Raci ishte një nga gjyqtarët më aktivë në futbollin e Kosovës, duke referuar ndeshje të shumta dhe duke fituar respekt për profesionalizmin dhe korrektësinë e tij.

Pas përfundimit të karrierës si gjyqtar, ai vazhdoi kontributin e tij në futboll si kontrollor i gjyqtarëve, duke dhënë përvojën dhe njohuritë e fituara për gjeneratat e reja të arbitrave.

Në rolin e tij si Shef i Sektorit të Sportit në Komunën e Mitrovicës, Raci jo vetëm që ka organizuar e mbështetur aktivitete sportive, por ka bërë edhe një gjest domethënës: ndau mirënjohje për futbollistët e pavarësimit, të cilët për 25 vite pas luftës kishin mbetur të harruar. Ky veprim u vlerësua lart si respekt ndaj historisë dhe sakrificës së sportistëve të asaj kohe.

Me një rrugëtim nga futbollisti në gjyqtar e deri tek drejtuesi i sportit, Nazmi Raci mbetet një figurë e respektuar që ka dhënë dhe po vazhdon të japë kontribut të madh për sportin e Kosovës.



Lexoni të gjitha në Bota Sot