Prizreni ka pasur privilegjin të jetë djepi i një prej figurave më të shquara të mjekësisë shqiptare, që la gjurmë të thella jo vetëm në oftalmologji, por në gjithë sistemin shëndetësor dhe arsimor të Kosovës. Prof. Dr. Sci. Orhan Ilijaz Kubati është shembulli i përkushtimit, dijes dhe vizionit që e tejkalon kohën dhe rrethanat, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Dr. Kubati – specialist i oftalmologjisë, doktor i shkencave dhe profesor universitar, është një nga figurat më të rëndësishme të mjekësisë shqiptare në Kosovë. I lindur më 1 nëntor 1937 në Prizren, ai kreu shkollimin fillor dhe Gjimnazin Real Shqiptar në vendlindje, ndërsa Fakultetin e Mjekësisë e përfundoi në Zagreb, në shkurt të vitit 1963. Në kohë të vështira për shëndetin publik, ai u angazhua fuqishëm në mjekimin dhe parandalimin e sëmundjeve infektive, duke kontribuar në vaksinimin masiv të fëmijëve dhe çrrënjosjen e malaries në rajonin e Prizrenit.
Pas një periudhe pune në Mjekësinë e Punës, ai e nisi specializimin për sëmundjet e syve në Prizren, ndërsa e përfundoi në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd në vitin 1971. U subspecializua në strabologji në Beograd, Lyon (Francë) dhe Köln (Gjermani), duke u bërë strabologu i parë shqiptar në Klinikën e Syve në Prishtinë.
Prof. Kubati udhëhoqi Repartin e Syve në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, ku modernizoi shërbimet mjekësore me teknologjitë më të avancuara të kohës. Ai futi në praktikë metoda të reja kirurgjike si dacryocystorhinostomia dhe operacionet për strabizëm, që më parë realizoheshin vetëm në Beograd.
Në vitin 1972-73 u emërua Asistent dhe më pas Shef i parë i Katedrës së Oftalmologjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Për shumë vite, ai dha kontribut të çmuar si profesor dhe drejtues klinike, derisa në vitin 1990 u shkarkua me dhunë nga autoritetet serbe për arsye politike dhe etnike.
Pas largimit nga puna, ai vazhdoi aktivitetin mjekësor në ambulancën private në Prizren, duke mos u shkëputur nga mësimdhënia. Pas luftës, u kthye si drejtor dhe shef i katedrës, duke e përmbyllur karrierën në vitin 2002 me pensionim të merituar.
Gjatë ngujimit të minatorëve të Trepçës në vitin 1989, Prof. Kubati u solidarizua me ta, duke ofruar ndihmë mjekësore vullnetare së bashku me dr. Qenan Tunuzliun.
Në vitin 1980 mbrojti doktoraturën në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë me temën: “Etiopatogjeneza e amblyopisë funksionale në Kosovë.” Ai është bashkautor i librit të parë universitar “Oftalmologjia për studentët e mjekësisë dhe stomatologjisë”, si dhe autor i mbi 50 punimeve shkencore të botuara brenda dhe jashtë vendit.
Prof. Kubati ka marrë pjesë në shumë kongrese evropiane e botërore, ku ka përfaqësuar denjësisht oftalmologjinë shqiptare. Në vitin 2000, ishte ligjërues i ftuar në Kongresin e 39-të të Shoqatës së Oftalmologëve të Turqisë, ku edhe u dekorua për kontributin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Gjatë karrierës së tij, ka pranuar shumë mirënjohje nga Universiteti i Prishtinës për kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin e arsimit dhe shkencës, në vitet 1974, 1985, 2004 dhe 2007.
Sot, Prof. dr. Orhan Kubati është themeltar i “Qendrës Laserike të Syrit KUBATI” në Prishtinë, një nga klinikat më moderne të oftalmologjisë në Kosovë, e pajisur me teknologji bashkëkohore dhe staf të kualifikuar. / Gazeta e Prizrenit
Lexo edhe:
Prim. Dr. Daut Mustafa – ikona e mjekësisë kosovare që kontribuoi shumë në Prizren