Finlanda merr pjesë në operacionin për sigurinë e Ukrainës

- Bota Sot

Finlanda merr pjesë në operacionin për sigurinë e Ukrainës

Kryeministri i Finlandës, Petteri Orpo konfirmoi në një konferencë për shtyp se Finlanda do të marrë pjesë në operacionin për sigurinë e Ukrainës, por vendime mbi mënyrat e pjesëmarrjes nuk janë marrë ende.

Sipas të përditshmes ‘Iltalehti’, Finlanda mund të marrë pjesë në operacionin për garanci sigurie për Ukrainën në detyra të mirëmbajtjes, mbështetjes dhe trajnimit.

Kryeministri finlandez, Petteri Orpo, në konferencën për shtyp të hënën përmendi detyrat e Finlandës në rast se do të marrë pjesë në Ukrainë. Ai konfirmoi se Finlanda është në krah të Ukrainës në këtë operacion, por se vendimet për rolin e saktë të Finlandës do të merren nga qeveria dhe në bashkëpunim me Presidentin dhe Parlamentin.

Orpo shtoi se nuk dëshiron të japë përshtypjen se Finlanda nuk do të marrë pjesë, por vendime konkrete mbi mënyrën e pjesëmarrjes në garancitë e sigurisë nuk janë marrë ende. Sipas Orpos, vendime do të merren kur të dihet se çfarë do të jetë saktësisht operacioni për ruajtjen e paqes në Ukrainë.

Më parë, qeveria kishte vendosur parimin bazë se si vend kufitar, detyra kryesore e Finlandës është të mbrojë vetveten.

“Nga ana tjetër, duke qenë vend kufitar, dërgimi i ushtarëve në misione ku mund të ketë konflikt me Rusinë, është një pyetje e vështirë”, tha Orpo.

Biseda me presidentin finlandez, Aleksander Stubb

Orpo tha se kishte biseduar me presidentin Aleksander Stubb përmes telefonit, derisa ishte duke udhëtuar për në Uashington. Ai bëri të ditur se presidenti Stubb merr pjesë sot në diskutime lidhur me procesin e paqes në Ukrainë.

“Përpara nesh janë negociata të ashpra”, tha Orpo.

Ai nuk pret që çështjet të zgjidhen menjëherë, por theksoi se ekzistojnë kushtet për një zhvillim pozitiv. Sipas Orpos, më e rëndësishmja është armëpushimi dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.

Orpo tha se, nëse realizohet sigurimi i paqes në Ukrainë, do të jetë një “operacion masiv, afatgjatë dhe i kushtueshëm.” Ai theksoi rëndësinë e pajisjes së ushtrisë ukrainase dhe ruajtjes së kapacitetit të saj sulmues – kjo është baza për sigurinë e Ukrainës dhe kërkon mbështetje nga Perëndimi.

Ai shtoi se është e rëndësishme që SHBA dhe Evropa të bashkëpunojnë ngushtë. Çështjet territoriale, sipas Orpos, janë për vendimmarrjen e Ukrainës.

Rreth Rusisë

Orpo shprehu gjithashtu shqetësimin për Rusinë, ku sipas tij, një paqe e mundshme mund t’i japë Rusisë mundësinë të grumbullojë forca.

Ai theksoi se Finlanda nuk ka frikë nga Rusia, por vepron me realizëm dhe investon në sigurinë e saj. Sipas Orpos, nëse presidenti rus Vladimir Putin arrin fitore në negociatat e paqes, të njëjtat veprime do të vazhdojnë, duke aluduar në mundshme veprime ndaj fqinjëve.

“Uria rritet duke ngrënë”, komentoi Orpo.”Prandaj është kritike të investojmë në siguri”, shtoi ai.



Lexoni të gjitha në Bota Sot