Hajduk Spliti shënoi fitore me rezultat bindës 3-0 në shtëpi ndaj Slaven Belupos në kuadër të xhiros së tretë në elitën e futbollit kroat.
Hajduku ia doli që fitoren ta sigurojë në pjesën e dytë, aty ku ia dolën të shënojnë të tre golat.
Pasi debutoi një xhiro më parë ndaj Goricës, ylli kosovar Ron Raçi, u aktivizua ndaj Slaven Belupos nga minuta e parë.
Paraqitja e tij në këtë sfidë i ka lënë përshtypje të mëdha trajnerit Gonzalo Garcia .
“Ai ishte i mirë. Është i talentuar. Ka shumë energji. Ai ende duhet të punojë me ne për të kuptuar të gjitha kërkesat, por besoj se së shpejti do të shihni një mbrojtës shumë të mirë”.
“Jam i kënaqur me mënyrën se si luajti. Në disa momente bëri diçka gabim, pastaj në aksionin tjetër e bëri siç duhet. Kjo është gjëja më e rëndësishme”, ka thënë Garcia për index.hr.
Kujtojmë se për paraqitjen e tij në këtë sfidë, Raçi ishte vlerësuar me notën 7.3 nga Sofascore, si një ndër më të mirët e ndeshjes.