Studentja serbe: Komandanti i Vuçiçit më goditi në protestë dhe më kërcënoi se do të më ...

- Bota Sot

Studentja serbe: Komandanti i Vuçiçit më goditi në protestë dhe më kërcënoi se do të më ...

Pas akuzave të studentes Nikolina ndaj komandantit të Njësisë për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve (JZO), Marko Kriçka, në rrjetet sociale janë shpërndarë fotografi intime të saj, të cilat sipas Autonomit Qendër të Grave (AŽC) përbëjnë një akt hakmarrjeje të pushtetit kundër kritikëve.

Jelena Lalatović nga AŽC deklaroi për N1 se në raste të tilla duhet të rikthehet fokusi te dhunuesi dhe te arsyet pse ndodh ky fenomen, jo te viktima.

Nikolina u mor disa ditë më parë nga pjesëtarë të JZO pas protestave në Beograd dhe denoncoi publikisht se komandanti Kriçka e kishte goditur, sharë dhe kërcënuar se do ta zhveshë e përdhunojë para të gjithëve.

Pas dëshmisë së saj, studentët në protestë publikuan një deklaratë ku akuzuan ish-sekretaren e shtetit në Ministrinë e Brendshme, Dijana Hrkalović, për shpërndarjen e këtyre fotove, duke theksuar se në momentin kur ato ishin bërë, Nikolina ishte e mitur.

AŽC ka reaguar ashpër duke thënë se është e qartë pse autoritetet hezitojnë ta përfshijnë në Kodin Penal shpërndarjen e paautorizuar të përmbajtjes intime si vepër penale – sepse vetë pushteti përdor këtë metodë për të frikësuar dhe dënuar kundërshtarët.

“90 për qind e viktimave të këtij lloj dhunimi janë gra, ndërsa burrat që e kryejnë e shohin si mision sadist, pasi synojnë t’i heqin dikujt tërësisht identitetin publik”, tha Lalatović.

Ajo shtoi se publikimi i materialeve intime ka për qëllim shkatërrimin e personalitetit të viktimës, duke e zhveshur nga dinjiteti dhe duke e lënë nën barrën e turpit.

“Shumica e grave nuk e dinë as që janë regjistruar, por edhe në rastet kur kanë ditur, është e papranueshme që këto pamje të përdoren si armë në hapësirën publike”, theksoi ajo.

Lalatović nënvizoi se ky fenomen duhet të shikohet si formë dhune dhe kontrolli mbi gratë.

“Këto akte synojnë t’i bëjnë gratë të ndihen se ekzistenca e tyre publike nuk ka më vlerë. Prandaj është e rëndësishme që fokusi të mos zhvendoset te viktima, por te dhunuesit dhe te ata që marrin pjesë në shpërndarjen e këtyre përmbajtjeve”, përfundoi ajo.



Lexoni të gjitha në Bota Sot