Policia e Kosovës njofton se është arrestuar një zyrtar i Agjencisë Pyjore të Kosovës nën dyshimin për keqpëdorim të detyrës dhe falsifikim të dokumentit.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se i arrestuari është Izet Osmanaj.
Në njoftimin e Policisë, thuhet se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit DHKEK-Prizren, në koordinim me Prokurorinë Themelore, ka kryer veprime hetimore si dhe ka ndërmarrë veprime të menjëhershme pas dyshimeve, pasi një grup prej tridhjetë e nëntë 39 personave kanë paraqitur kërkesa për marrjen e parcelave në shfrytëzim nga APK, në zona të ndryshme të rajonit të Prizrenit.
Osmanaj dyshohet se duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, tejkaloi kompetencat duke marrë para nga qytetarë të ndryshëm me premtimin për rregullimin e dokumentacionit të nevojshëm për të përfituar prna me qira nga APK. “Lidhur me këto kërkesa dyshohet se të njëjtat nuk janë përpiluar dhe as nuk janë nënshkruar nga personat emrat e të cilëve janë evidentuar në këto kërkesa. Nga njësitë kompetente policore janë ndërmarrë veprimet përkatëse, duke përfshirë edhe zbatimin e masave hetimore, ku janë siguruar dëshmi se i dyshuari mashkull kosovar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit, duke marrë para nga qytetarë të ndryshëm si dhe duke iu premtuar rregullimin e dokumentacionin të nevojshëm për të përfituar prona me qira nga APK”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin, bëhet e ditur se i dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ‘Falsifikim i dokumenteve”.
Ndryshe, ndaj Osmanajt, Prokuroria Themelore në Prizren më 3 mars 2022 kishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare në cilësinë e inxhinierit të pylltarisë pranë Autoritetit Pyjor në kuadër të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Komunës së Prizrenit, vepër për të cilën ai e kishte pranuar fajësinë.