Të hulumtosh mbi historinë e krishterimit në Iliri në katër shekujt e parë të këtij religjioni, nuk është diçka e lehtë pasi, studiuesi që në momentet e para haset me mungesë burimesh dhe dokumentesh, dhe kjo e bën trajtimin shkencor të kësaj periudhe një ndërmarrje të vështirë.
Megjithatë, bazuar sipas të gjeturave të përgjithshme të Instituti Arkeologjik i Kosovës në librin shkencor (faqe 101-114) me titull “ULPIANA-QYTETI DARDAN I KRISHTERIMIT TË HERSHËM DHE MARRËDHËNIET ME ROMËN” numër 1 të vitit 2005 po i paraqes më poshtë rezultatet e hulumtimit të prof. Enver Hoxhaj, Fakulteti Filozofik Prishtinë (përkthyer nga Shefi Gashi nga gjuha Gjermane), në lidhje me këtë temë studimore që është pjesë qoftë e historisë sonë kombëtare në përgjithësi, qoftë të historisë së krishterimit në trojet iliro-shqiptare në veçanti.
Artikulli i mëposhtëm me dy foto të ilustruara (Flori dhe Lauri në menologun e Patriarkanës së Pejës dhe Memoria e Ulpianës), i prof.dr. Enver Hoxhaj me titull: ULPIANA QYTETI DARDAN I KRISHTERIMIT TË HERSHËM DHE MARRËDHËNIET ME ROMËN- Në këtë punim, ne synojmë të paraqesim një studim për lindjen, zhvillimin dhe rënien e qytetit të krishterë Ulpiana, gjatë periudhës së vonë antike, përkatësisht prej gjysmës së dytë të shekullit II-të deri në fund të shekullit VI-të. Këtu do të trajtohet një kapitull, deri tani i patrajtuar i historisë së krishterimit. Ulpiana (Ulpiana), është themeluar nga një vendbanim ivjetër dardan, ndoshta së pari nga një bazë e ushtrisë romake¹. Ky vendbanim, gjatë shekullit II-të, e kishte fituar statusin e municipium Ulpianum, res publica Ulpiana, një status të njëjtë me qytete romake². Çështja se a e mori statusin e municipiumit gjatë kohës së sundimit të Trajanit (98-117) apo e fitoi këtë status gjatë sundimit të Hadrianit (117-138), mbetet ende e hapur³. Gjithashtu në literaturën e vjetër, është e diskutueshme, koha dhe vendi i themelimit të municipiumit. Për shkak të ngjashmërisë së emrit të Ulpianës me Lipjanin, ku janë zbuluar disa mbishkrime latine, deri në Luftën e Dytë Botërore, në përgjithësi, këto dy qendra janë identifikuar mes vete. Gjurmë të një vendbanimi të antikitetit të vonë, së pari nga njoftimet e shekullit IV-të dhe më pastaj të periudhës së hershme Bizantine, janë zbuluar me emrin Lypenion, Lypiana.⁴ Vendndodhja e Ulpianës në ditët e sotme, konsiderohet çështje e zgjidhur, pasi që gjatë viteve 1954-1959 u ndërmorën gërmime sistematike arkeologjike në një lokalitet, 1.5 km. Në perëndim të fshatit të sotëm Graçanicë, afro 7 km. Në juglindje të qytetit të Prishtinës.⁵ Në kuadër të këtij projekti, që deri në ditët e sotme është vazhduar vetëm pak, është identifikuar qyteti i periudhës romake dhe eperiudhës së hershme Bizantine, në një sipërfaqe të rrethuar me mure prej 35.5 ha, sipërfaqe kjo që është hulumtuar shumë pak. Themelimi i këtij qyteti duhet të ndërlidhet me fillimin e ndërtimit të rrjetit rrugor në Rrafshin e Kosovës në shekullin I, e që ishte një udhëkryq i rrugëve ndërmjet Lissus- Niassus (Lezhë-Nish) dhe që prej Scupit (Shkup) nëpër Rrafshin e Kosovës arrinte deri në Novi Pazar. Lulëzimi i qytetit dhe rregullimi sistematik i municipiumit mund të shpjegohet me një aktivitet intensiv të nxjerrjes së mineraleve (metalla Ulpiana), një traditë, që vazhdon deri në ditët e sotme në zonat përreth Prishtinës.⁶
Sikurse gjatë shekujve II-III, ashtu edhe gjatë shekujve vijues, Ulpiana, pas Scupit zinte vendin e dytë në Dardani. Dardania, që përafërsisht përfshinte territorin e sotëm të Kosovës, Serbinë e Jugut dhe Maqedoninë Perëndimore, gjatë shekujve I-III, i takonte provincës romake Moesia Superiore. Pas reformave të perandorit Dioklecian (284-305), ky territor u shndërrua në provincë në vete, dhe këtë status duket se arriti ta mbante gjatë gjithë periudhës së antikitetit të vonë.⁷
Për temën tonë, është më rëndësi, që të ndërlidhet historia e Ulpianës prej shekullit IV-të deri në shekullin e VI-të, veçanërisht periudha e krishterimit të hershëm, që deri me tani njihet shumë pak, edhe pse deri diku janë ruajtur burime të mjaftueshme. Lulëzimi ekonomik, politik dhe social i perandorisë romake me sa duket mori fund në antikitetin e vonë. Në anën tjetër dyndjet barbare e bënin jetën e banorëve të Ulpianës të pasigurtë. Kështu, zhvillimi ekonomik i qytetit të Ulpianës, pengohej në vijimësi. Një episod i rëndësishëm mbi dyndjet barbare, ndodhi në vitin 472, kur goti Teoderik (më vonë Teodori i Madh) me 3000 ushtarë këtë qytet, e pushtoi dhe natyrisht më pastaj e plaçkiti. Megjithatë, e gjithë ngjarja dhe invazioni got në Ulpianë nuk është i njohur.⁸ Një goditje edhe më e madhe për banorët e Dardanisë, ndodhi me tërmetin e vitit 518, ku nga 24 fortifikata, disa u shkatërruan tërësisht dhe shumë prej tyre, pësuan dëme të mëdha.⁹ Edhe Ulpiana duket se nuk i shpëtoi këtij tërmeti. Pasi që qyteti dukej se ishte i shkatërruar, perandori Justinian, nisi ndërtimin e godinave të reja dhe ndërtoi dhe rindërtoi murin mbrojtës të qytetit. Qyteti në këtë periudhë, mori edhe emrin e riIustiniana Secunda.¹⁰A e mbajti qyteti këtë emër të vetëm, apo emri Ulpiana vazhdonte të përdorët edhe më vonë, nuk mund të themi asgjë, pasi që nuk kemi informacione të mjaftueshme mbi këtë çështje.¹¹ Sikurse qytetet e tjera të Dardanisë edhe qyteti i Ulpianës, me gjithë përpjekjet e parandorit nuk i solli sukses të përhershëm, pasi që gjatë shekujve V-VI kemi të bëjmë me periudhën e njohur të dyndjeve, thënë më mirë me dezintegrimin dhe ruralizmin, që kishte përfshirë perandorinë romake bizantine.Në një anë procesi i varfërimit të popullsisë dhe aristokracisë, por edhe me kufizimet në prodhimtari dhe tregti, e karakterizonin edhe Ilirinë Lindore.¹² Në anën tjetër, ishte koha kur kemi dyndje të pandërprera dhe më vonë vendosjen e barbarëve në vende të reja. Duke pasur parasysh invazonet, banorët e Ulpianës ishin ndoshta të detyruar ta braktisnin qytetin e tyre dhe të vendoseshin në zona të sigurta. Kështu ndodhi edhe me banorët e qyteteve të tjera të Dardanisë.¹³ Pas këtij vështrimi të përgjithshëm historik, ne dëshirojmë të merremi në vazhdim me detajet e fillimit të krishterimit të hershëm në qytetin e Ulpianës, në kohën e lulëzimit dhe rënies së civilizimit provincial romak, ku edhe qyteti i Ulpianes përjetoi të njëjtin fund. Sikur në qytete të tjera të Ilirisë Lindore edhe në Ulpianë fillimet e krishterimit të hershëm ndërlidhen me tolerancën religjioze dhe me fatin e martirëve. Martyrologium Romanum sjellë informacione që, 18 gushti ishte i lidhur me jetën dhe pasojat e dy martirëve nga Ulpiana, Flori dhe Lauri.¹⁴ Keta dy vëllezër binjakë, ishin zhvendosur nga vendbanimi i mëparshëm i tyre bizantin dhe u vendosën ne Ilirinë Lindore, me vendim të Licinit, diku në Dardani, ndoshta në Ulpianë, për të ndërtuar një tempull, pasi që ata ishin mjeshtër të përpunimit të gurit. Sipas parafytyrimit të Krishtit, ata paraqitën edhe si predikues e misionarë dhe njerëzit e plagosur i shëronin si dhe banorët e qytetit të Ulpianës dhe i kthenin në të krishterë. Ata filluan ta shpërndanin edhe pagën e tyre për banorët e varfër të Ulpianës, dhe ata ishin në gjendje, që një djaloshi të verbër t’ia kthenin përsëri të pamurit. Si falënderim për këtë, djaloshi së bashku me babanë e tij, u kthyen në të krishterë. Pasi që tempulli pagan definitivisht kishte përfunduar së ndërtuari, Flori dhe Lauri, së bashku me banorët e varfër, ishin futur në tempull, duke sjell edhe kryqin me vete dhe duke i shkatërruar të gjitha paraqitjet e zotave të tjerë në tempull. Të gjithë pjesëmarrësit në këtë ceremoni pro krishtere, ishin mbytur dhe djegur, kurse Flori dhe Lauri pas gjithë asaj ngjarjeje të tmerrshme, ishin dërguar tek Licini me ç’rast u morën në pyetje dhe pastaj u ekzekutuan dhe u hodhën në një pus të thellë, i cili mandej u mbyll. Ky prezantim i shkurtër i jetës dhe ndikimi që patën këta dy martirë, paraqet vetëm një version të shkurtër të të dhënave, që dalin nga Acta Sanctorum.¹⁵ Me këtë rast, këtu nuk aplikohen të gjitha variantet, por vetëm në përcaktimin kohor dhe kompozicionet e kësaj legjende. Mua më duket shumë më me rëndësi të shtrohet, pyetja se sa janë të vërteta këto të dhëna. Interes të veçantë për ne, paraqet shtjellim i problematikës mbi historikun e dy figurave kryesore dhe për lokalizimin e informacioneve të shkruara mbi gjendjen në Ulpianë. Në fillim mund të thuhet, në përgjithësi, se kemi të bëjmë me një vepër që nuk e ka vlerën e plotë të të dhënave historike. Ky burim historik ka më tepër formën e një legjende, dhe duhet marrë, më shumë rezervë, për burim të mirëfilltë historik.¹⁶ Më tutje, duhet theksuar se identifikimi i emrit të Licinit, i cili urdhëroi mbytjen e të dy martirëve, në shkencë mbetët ende i paqartë. Në përgjithësi këtu mund të mendohet se bëhet fjalë për perandorin Valerius Licinianus Licinius, kundërshtarin e Kostandinit të Madh, veprimtaria e të cilit është e njohur në Ilirinë Lindore, dhe kishte hyrë në histori në cilësinë e përndjekësit të krishterëve. Si shembull i periudhës së sundimit të tij është e njohur edhe përndjekja e Martirëve nga Singidunum (Beograd), Hermylus dhe Stratonicus.¹⁷ Çështja është e paqartë, pasi që Licini në disa versione të burimeve, njihet si bir i Elpidies (Licinius, imperatricis Elpidiae filius), që sipas të dhënave historike nuk është i njohur.¹⁸ Me identifikimin e pazgjidhur të Licinit është e lidhur edhe kronologjia e jetës dhe zhvillimeve të të dy predikueseve. Në bazë të paraqitjes së përgjithshme, datimi i kësaj ngjarjeje, nuk mund të merret me saktësi. Për këtë mbetet e paqartë, a kanë jetuar ata gjatë gjysmës së dytë të shekullit të II-të apo në fillim të shekullit III-të. Një e dhënë për datim më të përafërt, na sjellë njoftimi mbi torturat e mësuesve të tyre, Proculus dhe Maximus. Kur këta të fundit gjatë kohës së sundimit të perandorit Hadrian në Kostandinopojë janë torturuar, edhe me këtë mund të jetë e mundur që nxënësit e tyre, Flori dhe Lauri gjatë dhjetëvjetëshit të ardhshëm të kenë jetuar dhe më pastaj të jenë vendosur në Ulpianë. Kjo ngjarje mund të ketë ndodhur në gjysmën e dytë të shekullit II-të.¹⁹ Janë shumë pak të besueshme të dhënat e shkruara, veçanërisht të dhënat në të cilat thuhet se ishte bërë thirrje nga të varfëritë e Ulpianes ( socii plures; sancta pauperum multitudo) për të u futur në tempullin romak, për T’i shkatërruar paraqitjet e zotave dhe për ta shndërruar atë në një kishë.²⁰ Kjo duket shumë e pasigurtë pasi që tempulli ishte ndërtuar nga pjestarë të administratës romake, shumë thjesht brenda një nate ishte shndërruar në një kishë. Këtu, bëhet fjalë për periudhën, kur toleranca fetare ndodhej në një epokë kohore shumë më vonë, në gjysmën e dytë të shekullit II-të, kur numri i të krishterëve në provincat e Ballkanit ishte tepër i vogël. Këto lëvizje nuk mund të shikohen ndryshe pos si krizë sociale, të cilën e kishin shkaktuar po ashtu të krishterët e parë. Këto lëvizje, pa një përkrahje të fortë të zonave përrreth, dukët se u shtypen prej administratës romake të Ulpianës dhe pjesëmarrësit u dogjën ne zjarre. Kjo vlen edhe për të krishterët, si, Flori dhe Lauri, të cilët e kishin përqafuar më herët krishterimin. Siç është thënë, aktiviteti i dhënë nga burimet e të dy personave mund të vihet në dyshim. Të dhënat dhe objektet arkeologjike, e dëshmojnë atë, se në Ulpianë gjatë antikitetit të vonë, me të vërtet ka ekzistuar një admirim religjioz, dhe kjo na përkujton martirët Florin dhe Laurin. Në qoftë se analizohen me kujdes gërmimet arkeologjike të viteve 1954-59, dhe secilën rrethanë të ngjarjes ta sqarojmë, edhe pse të dhënat e drejtpërdrejta nga burimet e shkruara na mungojnë. Në kuadër të gërmimeve arkeologjike tek hapësira e altarit të një kishe të shekullit VI-të, ishte zbuluar një varr shumë i madh i zbrazët, që pastaj ishte mbushur me rërë të imët, mbi të llaçi gëlqeror dhe pastaj si shtresë e fundit ishte mbuluar me një mozaik dyshemeje.²¹ Duke u mbështetur në objektet, ka dalur mendimi se bëhej fjalë për një relikt të varrit të martirëve, pasi që trupat e tyre, ishin hedhur në pus, kështu që ishin nxjerrë dhe vendosur në varr.²² Duke iu referuar të dhënave nga literatura, reliktet-eshtrat e tyre nuk kanë qëndruar aty gjatë gjithë antikitetit të vonë, por ato në kohën e Kostandinit te Madh janë bartur në Kostandinopojë. Për ata ishte ndërtuar një kishë në një pjesë të qytetit dhe gjatë shekujve XII-XIV, ajo mund të shihej.²³ A janë bartur me të vërtet eshtrat e tyre në atë kohë, nuk mund të thuhet me siguri. Burimet e shkruara ketë ngjarje, ia mveshin perandorit të parë prokrishterë. Për ketë datim aq të hershëm të ngjarjes duket se nuk ka ekzistuar, prandaj siç tregojnë edhe disa raste, kontributi i Kostandinit për krishterimin e hershëm ishte i madhë. Bartja e eshtrave mund të ketë ndodhur, dikur në shekullin e VI-të, apo edhe me vonë, ose ndoshta kur Ulpianës i kanosej rreziku nga dyndjet e mëdha barbare, që kishin përfshirë tërë Ballkanin. Romakët, një popullsi e romanizuar, ishin të detyruar nga sllavët barbarë, (që e kishin rrethuar tërë qytetin rreth e përqark) të paguanin një haraç dhe eshtrat e prijësve shpirtërorë te tyre t’i bartnin në një vend të sigurt, në Kostandinopojë ose diku afër Ulpianës apo ndoshta në një qytet tjetër të Dardanisë.²⁴ Është i paqartë ende varri i gërmuar i krishterimit të hershëm, sikur behët fjalë për një depo. Në qoftë se mendohet që ky vend, është imagjinuar vetëm për t’i ruajtur eshtrat-reliktet, atëherë kjo është më se e sigurtë. Mirëpo në bazë të madhësisë së konstruksionit të varrit dhe objekteve të mbetura të sarkofagut, mund të mendohet se trupat e martirëve, ishin sjellë aty shumë më vonë, pasi që ishte kryer ekzekutimi. Këtu, ka të ngjarë se, kemi të bëjmë me një altar varri. Njëkohësisht, nuk është e sigurt që altari ka qenë mbi varr apo afër varrit. Në ketë situatë mund të na ndihmonte datimi i ndërtimit të këtij konstruksioni. Nëse është gjetur varri pranë apo prapa altarit, atëherë konstruksioni mund t’i takoj shekullit V-të. Por në qoftë se altari ka qenë i vendosur mbi varr, në atë rast varri i takon fundit të shekullit VI-të.²⁵
Dhe në fund ne dëshirojmë që t’i shohim edhe rrethanat tjera mbi praninë e të dy martireve në varre sipas të dhënave arkeologjike dhe atë ta krahasojmë me të dhënat nga burimet e shkruara. Siç është paraqitur më lartë pasi që Flori dhe Lauri ishin mjeshtër të përpunimit të gurit (përfaqësues te ars lapicidina)) dhe për shkak të profesionit që kishin u dërguan në Ulpianë për të ndërtuar tempullin.²⁶ Në afërsi të kishës së sipërpërmendur, në hapësirën e altarit kanë qenë të varrosur martirët dhe në gërmimet arkeologjike janë zbuluar një ndërtesë dhe një varr në hapësirën e narteksit të së njëjtës kishë ku janë zbuluar shumë vegla pune të mjeshtërve të ndërtimit. Për këtë arsyje është menduar se në atë objekt ka qenë edhe punëtoria e Florit dhe Laurit.²⁷ Ne shpresojmë që gërmimet e ardhshme arkeologjike do të sjellin të dhëna më të afërta që, më të vërtet, personat e shenjtë kishin punuar në ketë punëtori. Pastaj do të ishim në gjendje që të përcaktojmë periudhën kohore të aktivitetit në ketë punëtori dhe me ketë përcaktimin kohor lidhur me aktivitetin e martirëve. Në mbështetje të të gjitha të dhënave arkeologjike të cilat mund të mirën për bazë, mund të konstatohet se në Ulpianë kemi të bëjmë fundamentalisht me një monument që i është kushtuar Florit dhe Laurit, kjo ngjarje u rezistoi shumë gjatë kohrave dhe është ruajtur edhe në burimet e shenjta të shkruara kishtare. Kjo ngjarje monumentale u ruajt deri në mesjetën e zhvilluar; ajo është e njohur me shfaqjen në një kishë ortodokse në Kosovë.²⁸ Kjo ndodhi kishte rendësi të madhe, pasi që edhe popullata sllave e mesjetës së hershme ketë kulturë e kishte marrë nga popullsia vendase, pasi që pas shekullit VII-të, territori i provincës së Dardanisë e me atë edhe Ulpiana bie nën pushtimin e tyre. Veprimtaria e Florit dhe Laurit na tregon dukjen e hershme dhe përhapjen e krishterimit në qytetet e Dardanisë, një aktivitet që kishte filluar para kohës së sundimit të Konstandinit të Madh. Krishterimi ishte i njohur tek banorët e Ulpianës pothuajse në gjysmën e dytë të shekullit II. Mund të thuhet se në ketë kohë në qytetin e Ulpianës paraqitet bashkësia e parë krishtere. Për fillimin dhe përhapjen e krishterimit në Ulpianë, pas vendimit mbi tolerancën fetare të Ediktit të vitit 313, nuk kemi asnjë njoftim. Ndoshta ai përhapet si në qytetet fqinjë të Ballkanit qendror nëpërmjet dy rrugëve, njëra ishte nga Selaniku dhe tjetra nga Azia e Vogël, nëpër Philippolis dhe Serdica. Ne nuk i dimë se cilët ishin misionarët që përhapën krishterimin dhe cilët ishin nxënësit e tyre, të cilët e vazhduan ketë aktivitet. Nuk mund të themi se me zbulimin e disa mbishkrimeve në Ulpianë dhe të disa emrave në këto mbishkrime se ata janë emra orientalë, që mund të merren ndoshta si të krishterët e parë, që kanë përhapur krishterimin, ashtu siç është e njohur edhe tek popujt e tjerë.²⁹ Që krishterimi i hershëm në shumë qytete të mëdha të Dardanisë kishte lëshuar rrënjë gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit IV-të është dëshmuar edhe nga burimet e shumta të shkruara. Për ketë në Koncilin e Nikesë (325), ndër ipeshkvit pjesëmarrës ishte edhe Dacus Dardaniae, i cili qe nga kryeqyteti i Provincës se Dardanisë, Scupi dhe e përfaqësonte ipeshkvin e tij.³⁰ Për një Kishë të organizuar në Ulpianë mund të flasim së pari vetëm pas dhjetëvjeçarit të dytë. Në Sinodin e Serdikës (343) na është i njohur edhe me emër ipeshkvit nga ky qytet, që në aktet e këtij Sinodi njihet me emrin Machedonius a Dardania de Ulpianes.³¹ Përveç emrit të ipeshkvit nga qyteti i Ulpianes, nuk kemi ndonjë njoftim tjetër mbi aktivitetin e krishterë të kishës së hershme. Por vetëm prania e ipeshkvit në ketë ngjarje tregon për një shkallë të lartë të organizimit kishtar dhe për një shtrirje të gjerë të krishterimit tek popullata e qytetit. Qyteti në ketë kohë ishte edhe qendër ipeshkvnore kishtare. Ky organizim mbeti gjatë tërë antikitetit të vonë. Në Serdikë u bisedua në ketë kohë mbi arianizmin. Përhapja e këtij mësimi ishte konsideruar e gabuar dhe simpatizuesit e këtij besimi, ishin transferuar në Ilirinë lindore dhe në Dardani. Nga burimet e shkruara, nuk kemi informacione, që edhe në Ulpianë, kishte konflikte religjioze ndërmjet ortodoksëve perëndimorë dhe simpatizuesve të arianizmit, e që këto përleshje ndodhën në dhjetë vitet në vijim. Ipeshkvi i lartëpërmendur Machedonius duket se nuk ka pasur ndonjë rol të veçantë në takimet kishtare dhe është e sigurt që ai i ka takuar grupit të ortodoksëve perëndimor.³² Të njëjtit grupacion duket se i kanë takuar edhe të krishterët e qytetit sikur se edhe ipeshki i tyre dhe nuk e kanë pranuar religjionin e gabuar lindor (herezinë). Rreth njëqind vjet më vonë pas ipeshkvit në fjalë, Machedonius, kemi burime të rastësishme që hedhin dritë mbi zhvillimin e krishterimit në Ulpianë. Ato na sjellin një dëshmi të qartë që krishterimi aty, si dhe në përgjithësi në Dardani, kishte edhe më tutje fatin tjetërfare ndërmjet Romës dhe Kostandinopojës, nëpërmjet kthimit të ndikimit të papistëve nga njëra anë dhe nga ana tjetër, karakterizohet me rritjen e vazhdueshme.të presionit nga perandori Justinian. Qartazi si askund tjetër në Ballkan, janë të njohura fërkimet religjioze, të cilat u shkaktuan nga politika religjioze e perandorit. Që në fillim perandori Justinian rivendosi ipeshkvët në Dardani dhe ngjarja e arriti kulminacionin mbi akuzat në Tre Kapitujt (Tria Capitula) në vitet 542-543, mbi të cilën jemi të informuar saktësisht..Në vitin 549, u takuan ipeshkvët e Ilirikumit dhe argjipeshkvia e provincës së Dardanisë në Sinodin e Iustiniana Prima, ³³ Ndoshta në Cariçin Gradi-n e sotëm, në të cilën të gjithë ishin të mendimit kundër akuzave mbi Tre Kapitujt. Kur perandori Justinian i ftoi në vitin 451 në Sinodin e Kostandinopojës, ata nuk morën pjesë. Mirëpo, pas dy vitesh u mbajt koncili i pestë ikumenik në Kostandinopojë. Që në fillim u vendos, që ipeshkvi i Ulpianës Paulus(episcopus ecclesiae Iustinianae Secundae) mos të merrte pjesë edhe pse ai së bashku me ipeshkvët e tjerë të Dardanisë, ishin në kryeqytet.³⁴ Duket shumë e qartë që ipeshkvët e Dardanisë ishin konsultuar që më parë dhe kishin qëndrime të njëjta. Për ipeshkvin Paulus ishte dërguar një lutje, ku thuhej që duhej të merrte pjesë në koncil. Ftesën ai e refuzoi me arsyetimin se ka mbi të edhe një ipeshkv, i cili është përgjegjës (archiepiscopum habeo et ei respodeo).³⁵ Ai është përmendur vetëm për këtë rast dhe nuk kemi ndonjë informacion tjetër në lidhje me ndonjë aktivitete tjetër. Prandaj nuk thuhet asgjë në lidhje me pjesëmarrjen e ipeshkvit Paulus në takimin kishtar dhe qëndrimin e tij në lidhje me konfliktin mbi Tre Kapitujt. Është më se e sigurtë se edhe ipeshkvit e tjerë të Dardanisë nuk i kishin nënshkruar vendimet e mbledhjes. Ishte gjë e pasigurt, që ai, që në fillim, ta mbronte vendimin e Tre Kapitujve. Në të njëjtën situatë ndodheshin edhe kolegët dardanë, që kishin po atë post..Është e paqartë se çka ndërmorën Pauli dhe ipeshkëvit e tjerë dardanë në ipeshkvinë e tyre pas kthimit nga Kostandinopoja. Vendimi i këtij konsulli për provincën e Dardanisë mbi kryengritjen e kishës dhe popullsisë, kemi edhe informacione të tjera. Victor von Tunnuna³⁶ Na sjell njoftime të përgjithshme mbi të ardhmen e komunave dhe besimtarëve dardanë. Nuk dihet se a ishte përfshirë edhe Ulpiana këtu. Ipeshkëvi i Ulpianës luajti një rol të rëndësishëm në lidhje me fërkimet religjioze që ndodhën në kohën e Justinianit. Këtë e vërteton edhe një njoftim i Prokopit.³⁷ Si bashkëkohës i perandorit autori njoftonte se konflikti religjioz në Ulpianë ishte i lidhur me konfliktin mbi Tre Kapitujt. Në ketë konflikt, Ulpiana paraqitej si qendër e rebelimit, për qetësimin e situatës atje ishin dërguar trupa të shumta ushtarake, që me vonë ishte kuptuar si një ndihmë për longobardët në luftë kundër gepidëve. Mbi ngjarjen kemi edhe të dhëna nga gërmimet arkeologjike të vitit 1957 dhe 1959, ku u zbulua një castrum i antikitetit të vonë, përkatësisht të shekullit VI-të.³⁸ Ky objekt ishte jashtë mureve rrethuese të qytetit, 80-100 m në lindje të Ulpianës dhe kapte një sipërfaqe prej 16 ha, dhe sipas mendimit të autorit të gërmimit ishte shfrytëzuar vetëm një kohë të shkurtër. Mbi ketë ekziston me të drejtë mendimi shkencor se castrumi është i lidhur me stacionimin e trupave ushtarake në Ulpianë për ta shtypur konfliktin religjioz, që kishte shpërthyer.³⁹ Gjendja e castrumit jashtë murit rrethues të qytetit është e njëjtë me përshkrimin e Prokopit, ku ai thotë që trupat ushtarake ishin dërguar në afërsi të qytetit. Në qoftes kemi të bëjmë me ketë ngjarje atëherë koha e Ndërtimit he funksioni i castrumit është e lidhur me ketë konflikt që sipas Prokopitë ka zgjatur nga viti 552 deri 559. Prokopi flet në vazhdim mbi një ngjarje në një vend tjetër, që e përmbledhë shumë shkurtimisht dhe nuk e vazhdon me tutje. Mbi ketë bazë, ne nuk e dimë se kush ishin në ketë kohë kundërshtarët, apo ishte fjala për një kryengritje të popullatës së Qytetit kundër politikës religjioze të parashtruar nga Justiniani. Nuk mund të përmbyllet që trupat ushtarake të perandorit ta kenë mbështetur grupacionin pro bizantin edhe pse mbi ketë nuk kemi ndonjë informacion të shkruar. Dërgimi i trupave ushtarake duhet shikuar si shtypje e dhunshme nga ana e perandorit mbi popullatën vendase, të cilët së bashku me ipeshkëvit e tyre edhe me tutje mbetën kundërshtarë të perandorit dhe vazhduan t’i mbronin Tre Kapitujt.⁴⁰ Mua së fundi me duket me rendësi, që të dhënat nga gërmimet arkeologjike, shkurtimisht t’i përmbledhim, në mënyrë që të përfitojmë një pikëpamje mbi krishterimin e hershëm me ndihmën e arkeologjisë. Është për tu theksuar nga njëra anë që gërmimet arkeologjike ishin ndërmarrë vetëm në kuadër të arkeologjisë provinciale romake dhe deri me tani vetëm pak objekte arkeologjike janë botuar. Në anën tjetër nuk ka pasur specialistë, në mënyrë që t’i përpunojnë objektet edhe nga aspekti i arkeologjisë krishtere. Për shekullin IV dhe V-të, në mbështetje të rezultateve të tanishme shkencore nuk janë publikuar objekte të veçanta. Në vitet 1954/1957 ishte zbuluar një bazilikë e krishterimit të hershëm, e cila nga bartësi i këtij gërmimi është datuar në shekullin e VI të dhe ajo ndodhet afër rrugës kryesore të qytetit. Ajo është 34 m. E gjatë dhe 14 m. E gjerë dhe në bazë të formës ajo i takon kishave njënefshe dhe me një hapësirë gjysmë harkore në anën lindore.⁴¹ Deri me tani nuk është arritur të vendoset se a kemi të bëjmë me një kishë ipeshkvnore komunale apo me një kishë, që i është kushtuar martireve, sepse është kisha e parë qe u gërmua dhe se gërmimet arkeologjike ende janë ne fazën fillestare. Siç është paraqitur më lartë në hapësirën e altarit të bazilikës kishte mbuluar varrin e madh, në të cilin mendohet si ishin varrosur martiret Flori dhe Lauri. Në ketë situatë është vështirë të konstatohet se, kemi të bëjmë me një bazilikë të martirëve të Ulpianës apo është fjala për një kishë që iu kushtua martirëve. Ne i përmblodhëm të gjitha mendimet së bashku, kështu që mund të thuhet se me ndihmën e të dhënave nga burime të shkruara dhe me ndihmën e të dhënave arkeologjike mund të ndiqet fillimi dhe zhvillimi i krishterimit të hershëm në Ulpianë prej gjysmës së dytë të shekullit II-të deri në fund të shekullit VI-të. Më së voni pas fillimit të shekullit të IV-të duket se Ulpiana ka pasur statusin e qendrës ipeshkvnore, që ishte nën qendrën e mitropolisë së Scupit dhe pas vitit 525 i takonte ipeshkvisë Justiniana Prima. Nga përmbledhja e paraqitur më lartë dhe përmes letërkëmbimit ndërmjet papatit dhe ipeshkve nga Dardania mund të themi se Ulpiana gjate kësaj periudhe ishte e lidhur me Selinë Apostolike.⁴² Ka mundur të ketë shkëputje të marrëdhënieve ndërmjet Romës dhe Ulpianës, (sikurse gjatë kohës së Skizmës), kjo e fundit ka zgjatur shumë pak dhe patriarku nga Kostandinopoja i vendosi marrëdhëniet vetëm me ndihmën e perandorit.⁴³ Në qoftë se shtrohet pyetja në aspektin liturgjik-gjuhësor, zona e Dardanisë e sidomos adhurimi i njohur për Imperium Romanium, deri në antikitetin e vonë mbeti si zonë qe i takonte ndikimit gjuhësor të latinishtes.⁴⁴ Nuk mund të themi që Ulpiana ka qenë dioqeza e vetme brenda territorit të Kosovës së sotme dhe sa ishte ndikimi i mundshëm i Ulpianës në tërë provincën. Në mbështetje të dhënave nga burimet e shkruara nuk është e mundur ta përcjellim fatin e dioqezës gjatë shekujve vijues. Pas shekullit VI-të Ulpiana dhe dioqeza e saj mbetën të izoluar, meqë ndodheshin përballë dyndjeve sllave dhe ruajtjes së ekzistencës së mëtejshme dhe para fatit të popullsisë së krishterë në vazhdim, e cila ishte e lidhur me shembjen e gjithë qytetërimit antik në Ballkan. Mbi këto ngjarje në vijim na mungojnë burimet e shkruara.
Ndaj edhe them në përmbyllje të këtij studimi e hulumtimi shkencorë të prof. Dr. Enver Hoxhaj se edhe pse është e vështirë të ndahet historia nga legjenda, Shën Flori dhe Shën Lauri dardan, mbeten dëshmitarë të hershëm monumentale të përhapjes së krishterimit në trojet tona iliriko dardane. Ata mishërojnë kalimin nga një shoqëri pagane drejt një bote të re shpirtërore paleokristiane, duke qenë pjesë e kujtesës kolektive të Ulpianës dhe më gjerë.