Policia e Kosovës ka ndaluar një të dyshuar nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim të dokumenteve, pas hetimeve të zhvilluara nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Prizren, në koordinim me Prokurorinë Themelore.
Sinjali raporton se i ndaluar është Izet Osmanaj.
Hetimet, siç njofton Policia, janë nisur pasi 39 persona kishin paraqitur kërkesa për marrjen e parcelave në shfrytëzim nga Agjencia Pyjore e Kosovës (APK), në zona të ndryshme të rajonit të Prizrenit. Dyshohet se këto kërkesa nuk ishin përpiluar apo nënshkruar nga vetë aplikuesit, duke ngritur dyshime për manipulime të qëllimshme.
Sipas Policisë, i dyshuari – një mashkull kosovar – ka tejkaluar kompetencat zyrtare duke shfrytëzuar pozitën për përfitime personale, përfshirë marrjen e parave nga qytetarët në këmbim të premtimeve për rregullimin e dokumentacionit të nevojshëm për përfitimin e pronave me qira nga APK.
Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit i dyshuari është ndaluar për 48 orë, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, Falsifikim i dokumenteve.