Trajneri i Mançester Junajtid, Rúben Amorim, reagoi pas humbjes minimale 0-1 ndaj Arsenalit në ndeshjen hapëse të sezonit të Premier Ligë 2025/26. Pavarësisht rezultatit, ai u shpreh i bindur se skuadra e tij ishte më e mira në fushë dhe se performanca e lojtarëve ishte për t’u duartrokitur.
“Mendoj se ishim skuadra më e mirë. Lojtarët tanë mund të fitojnë çdo ndeshje në Premier Ligë”, tha Amorim. Gjithashtu, tekniku ka shpjeguar arsyet pse la jashtë skuadrës Andre Onanan dhe Rasmus Hojlund për ndeshjen kundër Arsenalit, në një kohë kur spekulimet rreth të ardhmes së të dyve po intensifikohen.
Në “Old Trafford” ndaj Arsenalit, as Onana e as Hojlund nuk ishin pjesë e listës së ndeshjes dhe as në tribunë. Duke folur për Sky Sports, Amorim shpjegoi vendimin për të mos përfshirë asnjërin prej tyre në planet e tij për këtë ndeshje. Amorim konfirmoi se Onana tashmë është rikuperuar nga dëmtimi, por shtoi se portierët e tjerë kishin bërë paraqitje shumë të mira gjatë përgatitjeve, prandaj kishte zgjedhur Bajindirin.
“Ishte një zgjedhje. Ne përpiqemi të zgjedhim lojtarët më të mirë për çdo ndeshje. Java tjetër është tjetër histori, këtë javë zgjodhëm këta lojtarë. Onana është rikuperuar, por djemtë e tjerë ishin shumë të mirë gjatë përgatitjeve”, tha Amorim. Ndërkaq, Mançester Junaitid investoi fuqishëm këtë verë për të siguruar shërbimet e Brajan Mbeumo nga Brentford.
Dhe në ndeshjen debutuese ndaj Arsenalit, ai tregoi pse është një nga blerjet më premtuese të sezonit. Kamerunasi mund të thuhet ishte motorri i sulmit për skuadrën e Ruben Amorim ndaj Arsenalit. Ai krijoi disa raste të rrezikshme, bashkëpunoi shkëlqyeshëm me Mateus Kunja dhe pati dy goditje që u ndaluan nga portieri Raja. Mbeumo mori vlerësime të larta për paraqitjen e tij, duke u cilësuar si një nga më të mirët në fushë.