Verona siguroi kualifikimin në raundin tjetër të Kupës së Italisë pas fitores 2:1 ndaj Audace Cerignola-s, por vëmendja nuk shkoi vetëm te rezultati.
Në listën e skuadrës së trajnerit Paolo Zaneti u përfshi për herë të parë mbrojtësi i Kombëtares U-19 të Shqipërisë, Adi Kurti, një sinjal domethënës për rolin që pritet t’i besohet në të ardhmen.
Edhe pse nuk u aktivizua, prezenca pranë ekipit të parë tregon se Zaneti e sheh 19-vjeçarin si pjesë të planeve të këtij sezoni. Klubi po e integron gradualisht futbollistin kuqezi, duke i dhënë kohë të përshtatet me ritmin e Serie A dhe kërkesat e futbollit të madh.
Kurti ka spikatur me paraqitjet e tij te të rinjtë e sezonin e kaluar dhe në Kombëtaren e moshave kuqezi dhe tashmë është vetëm një hap larg debutimit. Për Veronën, afrimi i talenteve të tillë është pjesë e strategjisë për të ndërtuar një skuadër konkurruese dhe me të ardhme.