Pas nëntë muajsh protestash dhe demonstratash të pandërprera, autoritetet serbe nuk kanë arritur ta ndalin lëvizjen studentore kundër korrupsionit, e cila ka tronditur vendin ballkanik që nga nëntori 2024, kur u shemb çatia e sapo-renovuar e stacionit të trenit në Novi Sad, qyteti i dytë më i madh në Serbi.
Tragjedia, që mori 16 jetë, shihet gjerësisht si pasojë e drejtpërdrejtë e korrupsionit endemik që e pllakos vendin me 6.6 milionë banorë.
Në pushtet që nga viti 2014, fillimisht si kryeministër e më pas si president, Aleksandar Vuçiç nuk ka marrë kurrë seriozisht kërkesat e studentëve për një gjyqësor funksional dhe sundim të ligjit. Po ashtu, ai nuk ka treguar asnjë gatishmëri për t’iu përgjigjur thirrjeve të tyre për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Në një lëvizje shqetësuese, pas muajsh të tëra në të cilat përqeshte demonstratat paqësore, ai ka adoptuar tani një strategji frike, duke nxjerrë në rrugë truproja dhe huliganë të lidhur me rrjetet e fuqishme të krimit të organizuar në Serbi, të martën, më 12 gusht, shkruan Le Monde.
Që prej asaj dite, dhe duke u intensifikuar të shtunën, disa qytete serbe janë shndërruar në fusha beteje gjatë natës, teksa përkrahësit e qeverisë janë përplasur me protestuesit. Burra të maskuar me prejardhje të paidentifikuar kanë bastisur zyrat e partisë në pushtet. Një seri arrestimesh të dhunshme janë filmuar dhe shpërndarë gjerësisht në rrjete sociale, në një përpjekje të qartë për të ndezur opinionin publik. Ndërkohë, autoritetet akuzojnë opozitën se po përpiqet të "shkatërrojë Serbinë" dhe ta fusë vendin në "luftë civile". Strategjia kujton reagimin ndaj revolucionit Euromaidan në Kiev, Ukrainë, në vitet 2013–2014, kur partia në pushtet përdori grupe huliganësh dhe policë civilë të njohur si Titushky për të përhapur dhunë në mbledhjet paqësore.
Pasiviteti i kryeqyteteve evropiane
Duke nxitur kaosin që vetë e dënon, Vuçiç shpreson qartë se dhuna do të diskreditojë studentët serbë, sidomos në sytë e Bashkimit Evropian (BE) dhe liderëve të tij. Për të mobilizuar rrymën e fortë pro-ruse në vend, ai rregullisht, dhe pa prova, akuzon "shërbimet e huaja" për "organizimin e një revolucioni me ngjyra". Në fakt, deri tani presidenti serb gjithmonë ka llogaritur tek pasiviteti i Brukselit dhe kryeqyteteve evropiane, të cilat janë treguar hezituese për ta kritikuar atë.
Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili i shiti Serbisë 12 avionë luftarakë Rafale në vitin 2024 duke lavdëruar "ndryshimin strategjik" të një vendi që më parë i siguronte shumicën e armëve nga Rusia, është përmbajtur nga kritikat. Gjermania, e cila po mbështetet tek Vuçiç për të hapur një minierë litiumi vendimtare për industrinë e saj automobilistike por shumë e kontestuar në nivel lokal, ka qenë po aq e heshtur. Edhe Komisioni Evropian në Bruksel nuk ka qenë më i zëshëm, transmeton kosovapress.
Lëvizja e protestës nuk është pa ambiguitete, pasi shumë slogane nacionaliste dhe pro-ruse janë dëgjuar mes demonstruesve. Por kjo nuk duhet ta pengojë BE-në të përballet me të vërtetën e qartë: vazhdimi i negociatave të anëtarësimit me Serbinë nën sundimin e Vuçiçit nuk ka asnjë kuptim. Përkundrazi, kjo vetëm sa forcon bindjen e kundërshtarëve serbë se Evropa mbështet autokratin e tyre.