Ademi ka disa fjalë për gjyqtarët e Kosovës

- Bota Sot

Ademi ka disa fjalë për gjyqtarët e Kosovës

Gjyqtarët e futbollit janë shpesh edhe në thumb të kritikave nga klubet dhe dashamirët e futbollit.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, sot ka takuar gjyqtarët dhe lavdëruar për mënyrën se si e ndajnë drejtësinë në fushën e lojës.  

“Gjyqtarët janë pjesë e pandashme e futbollit dhe roli i tyre garanton drejtësinë dhe rrjedhën e lojës. Prandaj, investimi në gjenerata të reja është investim në vetë të ardhmen e futbollit tonë.

Në këtë drejtim, sot, së bashku me gjyqtarët elitarë dhe kryetarin e Shoqatës së Gjyqtarëve, Përparim Hasani, folëm për të ardhmen e ndarjes së drejtësisë në futbollin tonë.

Ky takim njëherësh shënoi fillimin e një procesi shumë të rëndësishëm, rekrutimin e gjyqtarëve të rinj, të cilët do të jenë gjenerata e së ardhmes në futbollin vendor.

Me përvojën dhe dijen e tyre, gjyqtarët elitarë do të jenë udhërrëfyes, mentorë dhe mbikëqyrës të drejtpërdrejtë të zhvillimit të gjyqtarëve të rinj, duke i ndihmuar ata të rriten profesionalisht dhe të arrijnë standardet më të larta.

Këta mentorë do të vendosin edhe për avancimin e gjyqtarëve në kategori, në bazë të zhvillimit dhe performancës së tyre.

Ky proces lidhet drejtpërdrejt me fushatën e UEFA-s “Be A Referee”, e cila synon të motivojë dhe inkurajojë të rinjtë që të bëhen pjesë e referimit, duke qenë pjesë aktive e lojës më të bukur në botë. 

Besoj fuqishëm se përmes këtij angazhimi do të krijojmë një bazë solide për të ardhmen e futbollit kosovar, ku pasioni, profesionalizmi dhe ndershmëria do të jenë gjithmonë në qendër”, ka shkruar Ademi.



Lexoni të gjitha në Bota Sot