Alen Sherri do qëndrojë për një kohë të gjatë jashtë fushave të lojës

- Bota Sot

Alen Sherri do qëndrojë për një kohë të gjatë jashtë fushave të lojës

Alen Sherri ka qenë shumë i pafat këtë fundjavë teksa është dëmtuar në ndeshjen e parë zyrtare sezonale të Frozinones në Kupën e Italisë ku ajo fitoi ndaj Monzës.

Një përplasje e portierit shqiptar me një shok skuadre solli dëmtimin e Sherrit i cili doli i gjakosur nga fusha dhe u dërgua në spital.

Dëmtimi rezultoi serioz, pasi raportohet për fraktura të shumta në kockat e fytyrës për gardianin kuqezi.

Edhe nëse nuk do t’i nënshtrohet ndërhyrjeve kirurgjikale, për të parashikohet një periudhë e gjatë jashtë fushave të lojës, që varion nga një deri në dy muaj.

Ndaj edhe Frozinone duhej të merrte vendimin se çfarë të bënte në merkato për të përballuar këtë situatë që është krijuar.

Sipas mediave pranë klubit, është vendosur që të pritet riaftësimi i Sherrit dhe të mos blihet apo huazohet një portier i ri. Duke marrë parasysh se në një muaj skuadra ka vetëm tre ndeshje zyrtare, do t’i besohet porta të riut Lorenco Palmisani.

Në këtë mënyrë, Sherri do të ketë kohën e duhur të riaftësohet dhe të mos shqetësohet për kthimin e shpejtë në fushë, pasi kur të rikuperohet plotësisht dhe të marrë dritën e gjelbër nga mjekët, do të ketë përsëri gati vendin e titullarit të klubi i Serisë B.



Lexoni të gjitha në Bota Sot