Lukas Paketa më në fund mund të vazhdoj normalisht jetën e tij dhe të mendojë për kontratën e madhe të jetës.
Mesfushori brazilian u shpall pak muaj më parë i pafajshëm nga të gjitha akuzat për trukimin e ndeshjeve në favor të basteve dhe i shpëtoi përjashtimit të përjetshëm nga futbolli, siç kishte kërkuar Federata Angleze që kishte hapur hetimin.
Një hetim dyvjeçar i cili në fakt i dogji një transferim te Mançester Siti që po e kërkonte me ngulm dhe kishte bërë gati një ofertë prej 80 milionë eurosh për të.
Tanimë “qytetarët” janë kthyer në garë për lojtarin e Uest Hem dhe duket se po mendojnë të blejnë kartonin e tij, duke parë edhe se vlera ka rënë ndjeshëm, në 35-40 milionë euro.
Por nuk janë të vetmit, pasi edhe Totenhemi dhe Kristal Palas janë të gatshëm të ofrojnë këtë shifër për të siguruar mesfushorin brazilian. Kësisoj, Paketa thjesht duhet të zgjedhë se në cilën prej skuadrave të mësipërme do të shkojë, pasi ka refuzuar një ofertë shumë të mirë financiare nga Arabia Saudite, pasi dëshiron të vazhdojë të jetë pjesë e futbollit të rëndësishëm.