FFK nis procesin e rekrutimit të gjyqtarëve të rinj

- Bota Sot

FFK nis procesin e rekrutimit të gjyqtarëve të rinj

Federata e Futbollit e Kosovës ka nisur një proces shumë të rëndësishëm për të ardhmen e futbollit vendor, rekrutimin e gjyqtarëve të rinj. Ky proces është pjesë e strategjisë së FFK-së për ngritjen dhe fuqizimin e sistemit të ndarjes së drejtësisë, me synim rritjen e cilësisë dhe profesionalizmit në këtë sektor të rëndësishëm.

Në takimin që sot presidenti Agim Ademi pati me gjyqtarët elitarë dhe kryetarin e Shoqatës së Gjyqtarëve, Përparim Hasani, u diskutua mbi hapat e ardhshëm dhe përgjegjësitë që nënkupton ky proces.

Me përvojën dhe dijen e tyre, gjyqtarët elitarë do të jenë udhërrëfyes, mentorë dhe mbikëqyrës të drejtpërdrejtë të zhvillimit të gjyqtarëve të rinj. Ata do të kontribuojnë në ngritjen profesionale të brezit të ardhshëm të gjyqtarëve, duke i ndihmuar ata të arrijnë standardet më të larta. Po ashtu, mentorët do të vendosin për avancimin e gjyqtarëve në kategori, në bazë të zhvillimit dhe performancës së tyre.

Ky projekt lidhet ngushtë edhe me fushatën e UEFA-s “Be A Referee” (Bëhu gjyqtar), e cila ka për qëllim motivimin dhe inkurajimin e të rinjve për t’u bërë pjesë e ndarjes së drejtësisë në futboll.

FFK synon të krijojë një bazë të fortë për të ardhmen e futbollit vendor në sektorin e gjyqtarëve, ku pasioni, profesionalizmi dhe ndershmëria do të jenë gjithmonë prioritet.



Lexoni të gjitha në Bota Sot