Kisha 113-vjeçare në Suedi “udhëton” 5 km! Rrezikohej nga gërmimet nën tokë, faturën e paguan miniera

- Bota Sot

Kisha 113-vjeçare në Suedi “udhëton” 5 km! Rrezikohej nga gërmimet nën tokë, faturën e paguan miniera

Një kishë historike 113-vjeçare në qytetin Kiruna në veri të Suedisë, po zhvendoset nga autoritetet lokale në një distancë prej 5 km, për shkak të rreziqeve nga rrëshqitjet e dheut.

Në vend që të çmontohej, inxhinierët e ngritën mbi një platformë gjigande me rrota dhe po e lëvizin drejt destinacionit të ri, në qendrën e re të qytetit.

Ajo po udhëton me një shpejtësi maksimale prej 500 metrash në orë dhe është parashikuar që të mbërrijë në destinacion për dy ditë.

Qendra e vjetër e qytetit është në rrezik për shkak të çarjeve në tokë pas më shumë se një shekulli të nxjerrjes së hekurit nga minierat.

Zhvendosja e kishës filloi me një bekim nga famullitarja, Lena Tjarnberg. Shumë qytetarë u mblodhën përgjatë rrugëve duke e parë me admirim ndërtesën që po lëvizte përpara, ndërsa menaxheri i projektit të zhvendosjes së kishës e quajti si ngjarje historike.

Kisha e Kirunës është 35 metra e lartë, 40 metra e gjerë dhe peshon 672 tonë. Ajo është votuar dikur si ndërtesa më e bukur para vitit 1950 në Suedi.



Lexoni të gjitha në Bota Sot