Tani Thomas Muller (35 vjeç) zbulon gjithçka!
Pas 25 vitesh te Bayern, për kampionin e botës të vitit 2014 kjo verë shënoi largimin e tij nga Mynihu. Legjenda e Bayern-it nis një aventurë të re në Major League Soccer me klubin kanadez Vancouver Whitecaps.
Në një intervistë ekskluzive për SPORT BILD, Müller flet për përfundimin e kontratës te Bayern-i. Ai shpjegon si shkoi vërtet ndarja me rekordmenët gjermanë dhe tregon se çfarë nuk i pëlqeu nga padroni i Bayern-it, Uli Hoeness (73 vjeç).
Sfondi: Hoeness i kishte këshilluar Müller-it gjatë premierës në kinema të dokumentarit të tij që ta mbyllte karrierën te FC Bayern gjatë verës. Më vonë, presidenti i nderit pranoi se, në atë kohë, vendimi që Müller nuk do të merrte kontratë të re, ishte marrë tashmë. Vetëm legjenda e Bayern-it nuk ishte informuar ende.
Müller thotë: “Klubi kishte vendosur tashmë brenda tij, por nuk ma kishte komunikuar mua. Fakti që Uli Hoeness më pas u përpoq ‘të ndërtonte një urë’ dhe foli publikisht për situatën time të kontratës në premierën e dokumentarit tim, sinqerisht nuk më pëlqeu. Më pëlqente më shumë sinqeriteti i drejtpërdrejtë”.
Dhe vazhdon: “Kush më njeh, e di që jam mik i hapjes dhe sinqeritetit. Me gjithë nisjen e vështirë që përshkrova, ndarja ime nga FC Bayern gjatë muajve të fundit ishte absolutisht e jashtëzakonshme dhe shumë e veçantë për mua”.
Müller, i pyetur nëse është zhgënjyer nga mënyra se si u mbyll karriera e tij te FC Bayern, thotë: “Jo – nuk isha i zhgënjyer. Siç përmenda në letrën time në fillim të prillit, komunikimi për përfundimin e kontratës sime nuk ishte krejt optimal. Nuk më pëlqeu kjo dhe ua kam bërë të ditur përgjegjësve”.
Müller kishte nisur bisedimet me klubin duke thënë se dëshironte të luante edhe një vit, ashtu siç ia kishte premtuar drejtori sportiv Max Eberl në një konferencë për shtyp në fillim të janarit.
Ai shton: “Po, vendimi që nuk do të merrja kontratë të re më erdhi si surprizë në atë moment, edhe për shkak të komunikimit të mëparshëm. Por këto janë tashmë histori të vjetra, për të cilat të gjitha palët kanë dhënë shpjegime të hollësishme”.
Bayern dëshironin që Müller të shkonte te klubi partner Los Angeles FC. Por pse nuk ndodhi kështu? “Ishte një takim personal në Mynih. Por unë qëndrova me vetëdije te Vancouver dhe Whitecaps. Që nga fillimi më ka pëlqyer shumë kjo zgjedhje,” shpjegon Müller.
Për jetën e tij të re në Amerikën e Veriut thotë: “Deri tani po më pëlqen shumë! Kur bën një hap të tillë, natyrisht që ka shumë të panjohura. Por me vendimin për Vancouver, ndjeva menjëherë që njerëzit dhe fryma e qytetit më përshtaten shumë mirë. Së pari jam këtu për të luajtur futboll të mirë. Kur sporti shkon mirë, sigurisht që do të shijoj edhe qytetin dhe rrethinën”.
Müller ka nënshkruar me Vancouver Whitecaps deri në fund të vitit 2026. A mund të imagjinohet që një ditë të kthehet te FC Bayern në një rol tjetër?
Müller pranon: “Unë po filloj një kapitull të ri këtu në Kanada. Kam qenë katër muaj duke u përgatitur për të thënë lamtumirë FC Bayern. Ishte mjaft e lodhshme, duhet ta them me sinqeritet. Tani që më në fund e kam arritur këtë, më pyesni kur do të kthehem te FC Bayern? Ju keni humor, por…”