Fenerbahçe ndeshet me -Benfica-n

- Bota Sot

Fenerbahçe ndeshet me -Benfica-n

Mbrëmja e sotme sjell katër ndeshje të fazës “play-off” në Ligën e Kampionëve.

Nga ora 21:00 zhvillohen sfidat Basel – FC Copenhagen, Bodø/Glimt – Sturm Graz, Celtic – Kairat Almaty dhe ajo që pritet të tërheqë më së shumti vëmendje, Fenerbahçe – Benfica, që transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

Kjo është përballja e parë mes dy klubeve në kuadër të këtij raundi, ku secili synon rikthimin në fazën e ligës. Fenerbahçe nuk ka marrë pjesë në Ligën e Kampionëve që nga sezoni 2008/09, ndërsa Benfica është pjesëmarrëse e rregullt dhe një prej skuadrave më me përvojë në Evropë.

Trajneri i Fenerbahçes, José Mourinho, në prag të ndeshjes e ka vlerësuar lart kundërshtarin. “Benfica është një ekip i Ligës së Kampionëve, jo një ekip që vetëm kualifikohet. Nuk jemi më të mirë se ata”, ka thënë Mourinho, duke theksuar se në të kaluarën ka fituar ndaj portugezëve, por gjithmonë me ekipe më të fuqishme se aktualisht.

Nga ana tjetër, trajneri i Benficës, Bruno Lage, e ka cilësuar sfidën si të barabartë. “Është një duel 50-50. Nuk është Bruno kundër Mourinhos, por Benfica kundër Fenerbahçes. Më e rëndësishmja është ta marrim një rezultat pozitiv”, ka deklaruar ai.

Fenerbahçe kaloi në këtë fazë pas eliminimit të Feyenoordit me rezultat të përgjithshëm 6-4, ndërsa Benfica u tregua bindëse kundër Nice-s, duke fituar 4-0 në dy takime. Statistikat historike janë në anën e portugezëve, të cilët kanë eliminuar gjithmonë klubin turk në përballjet dyshe.

Megjithatë, atmosfera në “Şükrü Saracoğlu” dhe përvoja e Mourinhos në garat evropiane e bëjnë takimin e sotëm një nga më intriguesit e mbrëmjes.

Faza “play-off” e Ligës së Kampionëve

21:00 - Basel - FC Copenhagen

21:00 - Bodoe/Glimt - Sturm Graz

21:00 – Celtic - Kairat Almaty

21:00 – Fenerbahçe - Benfica



Lexoni të gjitha në Bota Sot