Presidenti amerikan Donald Trump ka theksuar se nuk do të dërgojë trupa amerikane në terren si pjesë e garancive të sigurisë për Ukrainën, por nuk përjashtoi një rol më aktiv ajror të SHBA-ve.
“Ju siguroj, nuk do të ketë ushtarë amerikanë në tokë. Dhe unë jam presidenti”, tha Trump në një intervistë për Fox News. Sipas tij, SHBA-të do të kenë rol koordinues, ndërsa përkrahja ajrore mbetet një “opsion i hapur”.
“Europianët janë të gatshëm të vendosin trupa në terren, ne jemi gati t’i ndihmojmë me disa gjëra, ndoshta nga ajri, sepse askush nuk ka atë që kemi ne,” shtoi Trump. Ekspertët vërejnë se kjo “mbështetje ajrore” mund të përfshijë që nga furnizimi me sisteme mbrojtjeje deri tek përdorimi i avionëve amerikanë për të zbatuar një no-fly zone mbi Ukrainë.
Përgatitjet për takimin Putin–Zelensky
Në të njëjtën kohë, diplomacitë po punojnë për të gjetur një vend për takimin e paralajmëruar mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, si dhe për një samit trilateral të mundshëm ku do të marrë pjesë edhe Trump.
Zelensky, në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë, tha se është i hapur për “çdo format të mundshëm takimi.” Sipas Politico, Hungaria shihet nga Washingtoni si lokacion favorit për samitin trilateral, për shkak të marrëdhënieve të ngushta mes kryeministrit Viktor Orbán dhe Trumpit.
Nga Evropa, qëndrimi kryesor është i qartë: garancitë e sigurisë për Ukrainën duhet të jenë të forta. Këtë e ka theksuar disa herë presidenti francez Emmanuel Macron, por edhe shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas. Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer janë ndër ata që nxisin dërgimin e një kontingjenti ushtarak në Ukrainë. Kancelari gjerman Friedrich Merz nuk e përjashton pjesëmarrjen, ndërsa kryeministrja italiane Giorgia Meloni mbetet kundër.
Megjithatë, të gjithë evropianët bien dakord për një pikë: bashkëpunimi me SHBA-të është vendimtar.
Trump: Kam rikthyer prestigjin e Amerikës
“Trump ka rikthyer prestigjin e Amerikës si lidere e botës së lirë”, deklaroi dje zëdhënësja Leavitt, duke theksuar se liderët botërorë “janë mbledhur në Washington për të kërkuar ndihmën e tij.”
Presidenti amerikan tha në Fox se është optimist për takimin Putin–Zelensky: “Disponueshmëria e tyre për t’u ulur bashkë tregon se shkojnë më mirë se ç’mendoja,” deklaroi ai, ndonëse Kremlini s’ka dhënë ende konfirmim.
Sipas Axios, Trump ka caktuar si të dërguar biznesmenin Steve Witkoff për të ndërmjetësuar negociatat. Ai madje anuloi pushimet në resortin e tij në New Jersey për t’u marrë personalisht me procesin: “Nuk jam si presidentët e tjerë që shkojnë me pushime. Unë do të qëndroj këtu”, është shprehur ai.
Ku do mbahet samiti?
Macron ka sugjeruar Gjenevën si vend ideal, propozim i mbështetur edhe nga ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani. Zvicra ka njoftuar se po shqyrton mënyrat ligjore për t’i siguruar imunitet Putinit, i ndjekur nga një urdhër-arrest ndërkombëtar i Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC).
Por ky opsion nuk i pëlqen Moskës, pasi Zvicra ka furnizuar së fundi Ukrainën me armë. Alternativa të tjera janë Stambolli, Vjena, Arabia Saudite ose Emiratet e Bashkuara.
Zelensky, nga ana e tij, ka refuzuar kategorikisht sugjerimin e Putinit për t’u takuar në Moskë, duke e cilësuar si një provokim.