Juve, marrëveshje totale me klubin anglez për Douglas Luizin

- Bota Sot

Juve, marrëveshje totale me klubin anglez për Douglas Luizin

Ende nuk ka një njoftim zyrtar, por Juventusi dhe Nottingham Forest kanë arritur tashmë marrëveshje verbale për transferimin e Douglas Luiz. Braziliani, vetëm 12 muaj pas mbërritjes në Torino, do të rikthehet në Premier League për rreth 30 milionë euro.

Formula parashikon huazim me detyrim blerjeje, të lidhur me numrin e paraqitjeve të lojtarit te anglezët. Sipas të dhënave të para të raportuara nga David Ornstein (“The Athletic”), nëse mesfushori 27-vjeçar nuk arrin numrin e përcaktuar të ndeshjeve, detyrimi i blerjes do të kthehet në të drejtë blerjeje.

Nëse shifrat konfirmohen, Juventusi do të regjistrojë humbje prej rreth 10 milionë euro në bilanc.

Anglezët synojnë t’i mbyllin detajet e fundit dhe ta bëjnë gjithçka zyrtare sa më shpejt, për ta organizuar transferimin e lojtarit që gjatë mbrëmjes së sotme, ndërsa vizitat mjekësore parashikohen për të enjten e 21 gushtit.

Shitja e ish-mesfushorit të Aston Villa sjell fonde të freskëta në arkën bardhezi, të cilat drejtori sportiv Damien Comolli do t’i përdorë për ta kompletuar skuadrën e Tudor. Në krye të listës së dëshirave të Juventusit qëndron Edon Zhegrova, sulmuesi anësor që pritet të largohet nga Lille për një shumë mes 18 dhe 20 milionë euro.



Lexoni të gjitha në Bota Sot