“Faleminderit të gjithëve për mesazhet gjatë këtyre ditëve.
E vlerësoj shumë mbështetjen tuaj, por këto gjëra ndodhin, dëmtimet janë pjesë e lojës.
Me hirin e Zotit ndihem mirë dhe mbetem pozitiv, pavarësisht se çfarë do të ndodhë. Shihemi së shpejti”.
Ky është mesazhi përmes rrjeteve sociale, ose e thënë ndryshe reagimi i parë i Romelu Lukakut pas dëmtimit të rëndë që pësoi në prag të nisjes së sezonit të ri në Serie A.
Dëmtimi – Sulmuesi i Napolit u dëmtua gjatë miqësores me Olympiacos dhe iu nënshtrua ekzaminimeve në “Pineta Grande Hospital”, ku iu diagnostikua lezion i shkallës së lartë në muskujt e kofshës së majtë (‘retto femorale’). Klubi njoftoi se lojtari ka nisur tashmë procesin rehabilitues dhe do t’i nënshtrohet një konsulte kirurgjikale për të vlerësuar nëse do të ketë nevojë për operacion.
Situata te Napoli – Dëmtimi i Lukakut mund të sjellë pasoja edhe në listat e regjistrimit për Serie A dhe Champions League. Napoli ka vetëm një vend të lirë për lojtarët “over”, i cili pritet të shfrytëzohet për një sulmues të ri, që mund të afrohet në merkato për të zëvendësuar belgun. Fillimisht ky vend ishte menduar për Gutierrez, por tani është e mundur që hapësira të krijohet, duke “përjashtuar” pikërisht Lukakun.
Një goditje e rëndë për Napolin dhe Lukakun, që tashmë duhet të presë rezultatet e konsulencës kirurgjikale për të mësuar kohën e rikuperimit.