Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor (NJRTRR) në Prizren, është pajisur me një automjet të ri me radar mobil, si pjesë e përpjekjeve për rritjen e sigurisë në komunikacion dhe parandalimin e kundërvajtjeve rrugore, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.
Më datë 20.08.2025, nga ora 09:00 deri në 10:15, patrulla policore e NJRTRR Prizren ka organizuar një pikë kontrolli me veturë të pajisur me radar mobil në rrugën Prizren– Prevallë. Gjatë këtij operacioni janë shqiptuar gjithsej 13 fletëparaqitje për kundërvajtje, si vijon:
•8 fletëparaqitje për tejkalim në vijë të plotë, prej të cilave 5 automjete me targa të huaja.
•5 fletëparaqitje për tejkalim të shpejtësisë së lejuar në zonën e kufizuar me 30 km/h.
Të gjitha kundërvajtjet janë video-incizuara nga radari mobil, duke shërbyer si dëshmi të pakontestueshme për shkeljet e evidentuara.
Policia e Kosovës apelon për respektim të rregullave të komunikacionit dhe njofton se kontrollet me radar mobil do të vazhdojnë në mënyrë të rregullt në zonat me rrezikshmëri të lartë.