Barcelona vazhdon të marrë oferta për lojtarët e saj këtë verë, por duket se pritet pak lëvizje deri në fund të afatit kalimtar.
Pas interesimit për Marc Casado, raportimet e fundit tregojnë se oferta kanë mbërritur edhe për mbrojtësin e majtë Gerard Martin.
Ashtu si me Casadon, Barcelona nuk do të pranojë asnjë ofertë dhe nuk do të negociojë, përveç nëse vetë lojtari shpreh qartë gatishmërinë për t’u larguar.
Martin ishte objekt i një oferte prej 15 milionë eurosh nga Wolves më herët gjatë verës, por transferimi nuk u realizua pasi ai nuk ishte i hapur për këtë lëvizje. Sipas “Sport”, dy oferta të reja për Martin kanë mbërritur, por situata duket se do të përsëritet. Barcelona nuk është kundër një largimi, pasi synon të ulë barrën e pagave.
Megjithatë, stafi teknik shfaq hezitim për ta lënë Martinin të largohet pas ikjes së Inigo Martinez.
Ai pritet të shërbejë si mbrojtësi i pestë qendror këtë sezon, me idenë që të përshtatet duke luajtur edhe në qendër të mbrojtjes.
Nga ana tjetër, i riu Jofre Torrents, që debutoi me ekipin e parë të shtunën, shihet si përforcimi afatgjatë për Alejandro Balde në krahun e majtë, ndaj Martin pritet të përshtatet në një rol tjetër.
Barcelona nuk pret zhvillime të tjera deri në fund të verës për shkak të qëndrimit të lojtarit, por e ardhmja e tij mund të rikthehet në diskutim gjatë merkatos së janarit, kur klubi do të ketë një pasqyrë më të qartë për rolin e tij në skuadër.