Beqiri e Ramadani besojnë në fitore

- Bota Sot

Beqiri e Ramadani besojnë në fitore

Kampioni i Maqedonisë së Veriut, Shkëndija, nesër mbrëma (ora 20:00) në Arenën Kombëtare “Todor Proeski” do të përballet me Ludogoretsin në ndeshjen e parë të “play-off”-it për Europa League.

Trajneri i kuqezinjve, Jeton Beqiri, e pranon se skuadra bullgare është favorit në letër, por ai thekson se ekipi i tij do të luftojë deri në fund për të arritur një rezultat pozitiv.

“Këto janë ndeshje të rëndësishme evropiane me kundërshtarë cilësorë.

Jam i kënaqur me paraqitjen e Shkëndijës, përjashtim ndoshta bën ndeshja në udhëtim kundër Qarabagut.

Në këtë nivel nuk guxon të gabosh, sepse çdo pakujdesi dhe gabim paguhen shtrenjtë”, tha Beqiri në konferencë për medie, një ditë para duelit me ekipin bullgar.  

“Ludogoretsin e kemi analizuar, edhe pse kanë shumë ndryshime në përbërje. Të jeni të sigurt se Shkëndija do të bëjë gjithçka për një rezultat pozitiv,” theksoi Beqiri.

Ndërkohë, mesfushori Reshat Ramadani është shprehur i bindur në forcën e ekipit të tij.

“Mendoj se jemi të përgatitur. Dëshira është maksimale dhe me siguri do të japim më shumë se maksimumi. E kemi analizuar Ludogoretsin dhe jemi gati për lojë të hapur”, pohoi Ramadani.

Ndeshja kthyese zhvillohet javën e ardhshme në Bullgari, ku do të vendoset ekipi që do të sigurojë fazën e grupeve të Ligës së Evropës.



Lexoni të gjitha në Bota Sot