Manchester City mund të realizojë këtë verë shitjen më të madhe në historinë e klubit.
Sipas mediave britanike, Tottenham ka paraqitur një ofertë prej 80 milionë eurosh për të siguruar shërbimet e talentit brazilian Savinho, një nga lojtarët premtues të skuadrës së Pep Guardiolës.
Premier League vazhdon të thyejë çdo rekord financiar, duke shpenzuar mbi 2.6 miliardë euro vetëm këtë verë, shumë më tepër krahasuar me 934 milionë euro të shpenzuara në Serie A.
Të ardhurat e larta nga të drejtat televizive po u japin klubeve angleze një epërsi të dukshme në merkato, madje edhe skuadrat e sapo-promovuara shpenzojnë shuma të konsiderueshme.
Pas afrimeve të rëndësishme si Mohammed Kudus, Joao Palhinha, Luka Vuskovic, si dhe blerjes përfundimtare të Mathys Tel dhe Kevin Danso, Tottenham po kërkon tani të përforcojë më tej sulmin. Savinho, 21 vjeç, me 3 gola dhe 11 asiste në sezonin e tij të parë me Cityn, shihet si përforcimi ideal.
Dy oferta të mëparshme, prej 50 dhe 70 milionë eurosh, u refuzuan nga City, por kjo e fundit, prej 80 milionë, mund të bëhet e pamundur për t’u injoruar. Nëse marrëveshja finalizohet, ajo do të bëhej transferimi më i shtrenjtë në historinë e Tottenham, duke thyer rekordin aktual prej 64 milionë eurosh për Solanke, si dhe një shitje rekord për klubin e Manchester City-t.