Java e dytë e Premier League do të nisë të premten me ndeshjen West Ham-Chelsea, një sfidë delikate për skuadrën e trajnerit Enzo Maresca, që kërkon fitoren e parë në kampionat këtë sezon.
Kampionët e botës për klube barazuan pa gola në sfidën e parë ndaj Crystal Palace, ndaj këtë herë objektivi është 3 pikë. Gjithsesi, Maresca u ndal te merkato dhe ndonjë përforcim i minutës së fundit.
Ai këmbënguli se Chelsea po kërkon zgjidhje të brendshme në mbrojtje: “Po kërkojmë zgjidhje të brendshme dhe e tregova këtë në ndeshjen e fundit kundër Palace. Po përpiqemi të gjejmë zgjidhje dhe do të shohim nëse ndodh diçka”.
Maresca do të ketë në ndihmë edhe Wesley Fofana, që kishte patur probleme së fundi. “Unë flas me Wes çdo ditë. Ai është shumë, shumë i lumtur, para së gjithash sepse është rikthyer nga lëndimi. Ai po zhvillon të gjitha seancat“, tha Maresca.
“Kundër Palace, ai ishte në stol vetëm për të qenë me ne. Por, nga nesër, ai është me ne dhe gjithashtu mund të marrë disa minuta. Ne jemi të lumtur dhe ai është i lumtur”, tha Maresca.