Mbrojtësi legjendar i Manchester United, Gary Neville, ka zbuluar detaje mbi pagën e tij gjatë sezonit të fundit në “Old Trafford”, përpara se të përfundonte karrierën e tij të shkëlqyer si lojtar në vitin 2011, raporton The Sun.
Ndërsa diskutonte kontratën e ish-shokut të ekipit Roy Keane në The Overlap, Neville krahasoi të ardhurat e tyre. Ai theksoi se Keane fitonte rreth 1.1 milionë euro në vit vetëm nga bonuset e nënshkrimit që në vitin 2005, gjashtë vjet para daljes në pension të Neville.
Neville më pas zbuloi se në sezonin e tij të lamtumirës në vitin 2011, paga e tij vjetore ishte 2.6 milionë euro.
“Nuk i negociova kontratat e mia, thjesht i nënshkrova, nuk më interesonte. Çfarëdo që më ofronin, unë thjesht thoja: ‘S’ka gjë, nuk më intereson’”, deklaroi Neville.
Legjenda e Arsenalit, Ian Wright (61), reagoi ndaj deklaratës, duke theksuar se Neville, i cili fitonte rreth 50 mijë euro në javë, ishte paguar më pak se sa meritonte për kontributin e tij. “Ju qenkeni paguar pak”, tha shkurt Wright.
Nga viti 1992 deri në vitin 2011, Neville fitoi tetë tituj të Ligës Premier, tre FA Cup, tre Kupa të Ligës dhe dy Liga të Kampionëve, duke bërë plot 600 paraqitje për klubin.
Pas karrierës së tij si lojtar, ai pati një periudhë të shkurtër dhe të pasuksesshme si trajner te Valencia, ku u shkarkua pas vetëm 16 ndeshjesh. Sot, Neville është komentator në Sky Sports, ku shpesh bashkëpunon me ish-rivalin e tij Jamie Carragher, ish-kapitenin e Liverpoolit.