Lamine Yamal vazhdon të shkruajë historinë e futbollit spanjoll, duke u bërë lojtari më i ri i shekullit XXI që arrin shifrën e 15 golave në La Liga.
Sulmuesi i Barcelonës e arriti këtë sukses në moshën 18 vjeç e 34 ditë, duke thyer rekordin e mëparshëm të Ansu Fati, i cili kishte shënuar në të njëjtën garë në moshën 19 vjeç e 188 ditë në vitin 2022.
Ky moment historik erdhi në ndeshjen hapëse të sezonit 2025/26, ku Barcelona triumfoi 3-0 ndaj Majorkës.
I veshur me fanellën ikonike me numrin 10, Yamal dhuroi një performancë të shkëlqyer, duke treguar se është tashmë lider i ri i skuadrës katalanase.
Sipas të dhënave të “Opta”-s, ai ka shënuar 15 gola në vetëm 74 paraqitje në La Liga, një tregues i qartë i talentit, efikasitetit dhe qetësisë së tij para portës. Në këtë takim, Yamal u shfaq në formë të jashtëzakonshme duke realizuar një gol të mrekullueshëm me harkim, dhënë një asist vendimtar, provuar nëntë gjuajtje dhe kryer gjashtë driblime të suksesshme.
Këto statistika i siguruan atij çmimin “Lojtari i Ndeshjes”. Ky rekord është vetëm një tjetër “gur themeli” në karrierën e tij mbresëlënëse.
Yamal është tashmë golashënuesi më i ri në historinë e “El Clasicos”, si dhe lojtari më i ri që ka shënuar në Kampionatin Europian, duke tërhequr vëmendjen e mediave dhe tifozëve në mbarë botën. Në moshën 18- vjeçare, ai jo vetëm që po vendos rekorde individuale, por gjithashtu po shihet si simboli i së ardhmes së Barcelonës dhe i futbollit spanjoll.