Pescara dhe Cesena hapin sezonin e ri të Serie B këtë të premte, më 22 gusht, në orën 20:30, në stadiumin “Adriatico”.
Sfida e parë e kampionatit pritet me interes të madh, jo vetëm për nisjen e garës, por edhe për të ardhmen e ‘bomberit’ shqiptar, Cristian Shpendi, i cili është në radarin e Cagliarit dhe Lecce-s në ditët e fundit të merkatos.
Trajneri i Cesenas, Michele Mignani, foli në prag të takimit, duke u ndalur si te sfida me Pescara-n, ashtu edhe te situata e Shpendit:
“Jam i lumtur që fillon kampionati. Pres një Cesena të jetë e përqendruar, me intensitet dhe vëmendje.
Përballë kemi një skuadër që fitoi playoff-et e Serisë C dhe që do të mbështetet nga një qytet i tërë.
Nuk do të jetë e lehtë, por ne duhet të mendojmë për veten tonë”.
Sa i përket merkatos, Mignani pranoi se grupi ka nevojë për disa përforcime në mbrojtje dhe mesfushë, ndërsa për sulmuesin e ri, Olivieri, u shpreh se sjell “energji dhe entuziazëm”.
Në fund, ai u ndal te e ardhmja e Shpendit, i cili ka qenë protagonist i madh me golat e tij:
“Një lojtar si ai do të doje ta mbaje gjithmonë, por duhet të jemi të ndershëm.
Nëse i jepet mundësia të fluturojë lart, është e drejtë t’ia japim. A kam frikë se e humbas? Do të thosha ‘po, por edhe jo’”.