Duket se Barcelona mund të ketë fituar pak kohë për rikthimin në “Spotify Camp Nou” në Champions League.
Sipas asaj që raporton Catalunya Radio, UEFA, e cila sot ka vizituar punimet në stadium, do të ketë pranuar në mënyrë jozyrtare kërkesën e klubit për ta filluar garën më të madhe kontinentale jashtë shtëpisë.
Në këtë mënyrë, katalanasit nuk do të luanin para datës 30 shtator ose 1 tetor, duke fituar disa ditë më shumë kohë.
Nuk duhet harruar se institucioni europian detyron që e gjithë faza e grupeve të luhet në të njëjtin stadium. Pra, Barcelona do të zhvillojë katër ndeshjet në shtëpi të kësaj faze ose në “Spotify Camp Nou”, ose në “Montjuïc”. Për këtë arsye është kaq e rëndësishme që klubi ‘blaugrana’ të fitojë pak kohë shtesë për të marrë lejen e parë të përdorimit të stadiumit. Më 28 gusht, katalanasit duhet t’i tregojnë UEFA-s se ku do t’i zhvillojnë ndeshjet e Champions League.
Barcelona ka punuar gjithashtu që të bindë organin europian të lejojë ekipin të nisë kompeticionin jashtë fushe, ashtu siç ndodhi edhe me La Liga. Kujtojmë se katalanasit do të luajnë tri javët e para të kampionatit kombëtar në transfertë. Ndeshja e parë si vendas është parashikuar për fundjavën e 14 shtatorit dhe, për momentin, është e paqartë nëse do të zhvillohet në “Spotify Camp Nou”. Në orët e fundit, Albert Batlle, zëvendës-kryebashkiak i qytetit, ka theksuar se është shumë e mundur që Barcelona të qëndrojë edhe disa muaj të tjerë në stadiumin “Olímpic”.
Në rrjetet sociale, Barcelona publikoi edhe një video për t’u treguar tifozëve ecurinë e punimeve në stadiumin e ri. Sipas radios katalanase, UEFA nuk do të kundërshtojë që katalanasit të luajnë ndeshjen e parë të Champions-it jashtë fushe. Në këtë mënyrë, ata do të fitojnë dy javë shtesë, pasi ndeshja hapëse e turneut është planifikuar të zhvillohet mes datave 16 dhe 18 të muajit të ardhshëm.