Arsenali shpenzon 250 milionë euro

- Bota Sot

Arsenali shpenzon 250 milionë euro

Mbi 250 milionë euro të investuara në merkato për një objektiv të vetëm: rikthimin e titullit të Premier League, që mungon në shtëpinë e Arsenalit prej 21 vitesh.

Të kuqtë e veriut të Londrës kanë fituar gjithsej 13 tituj kampion, dy në fillim të viteve 2000, por pas epokës së Arsène Wenger trofeu i ligës më prestigjioze angleze nuk është parë më në “Emirates”.

Në këtë periudhë kanë dominuar vetëm pesë ekipe: Manchester City, Manchester United, Chelsea, Liverpool dhe madje edhe surpriza Leicester City.

Skuadra e Bergkamp, Thierry Henry dhe portierit Jens Lehmann, “të pathyeshmit” që përfunduan një sezon pa humbje, është tashmë një ëndërr e largët për tifozët. Megjithatë, formacioni i drejtuar nga Mikel Arteta duket më i përgatitur se kurrë për të tentuar rikthimin në majë.

Pas një sezoni ku Arsenali për një kohë të gjatë rivalizoi Liverpool-in, por më pas humbi ritmin, trajneri spanjoll ka marrë vetë kontrollin e strategjisë së merkatos. 65,8 milionë euro janë shpenzuar për Viktor Gyokeres nga Sporting CP, një sulmues tipik “bomber” që pritet të jetë pika e referimit në fazën ofensive.

Nga Real Sociedad ka mbërritur për 70 milionë euro mesfushori Martín Zubimendi, 26 vjeç, të cilin Arteta e sheh si “trurin” e ri të skuadrës, në sinkron perfekt me Declan Rice dhe kapitenin Martin Odegaard.

Në krahët e sulmit, është blerë Noni Madueke për 56 milionë euro nga Chelsea, një alternativë cilësore për Bukayo Saka dhe Gabriel Martinelli. Për të shtuar thellësinë në mesfushë, është marrë Christian Norgaard nga Brentford për 11,6 milionë euro, ndërsa në mbrojtje ka mbërritur 21-vjeçari Cristhian Mosquera nga Valencia për 15 milionë.

Goditja e fundit ka qenë afrimi i trekuartistit Eberechi Eze nga Crystal Palace për 60 milionë euro, duke ia “rrëmbyer” rivalit të qytetit, Tottenham. Ndeshja e fundit kundër Manchester United, edhe pse jo spektakolare, ka dhënë sinjalet e para pozitive për një skuadër që duket më e ekuilibruar dhe më e kompletuar.

Tani, me një organikë të përforcuar në çdo repart, Arsenali synon të thyejë mallkimin që zgjat prej më shumë se dy dekadash dhe të rikthejë lavdinë e dikurshme në Premier League.



Lexoni të gjitha në Bota Sot