Në shtëpinë e Interit sot do të jetë dita e Andy Diouf.
Pas një operacioni të shpejtë në merkato me Lensin, marrëveshje e mbyllur për një shifër mes 23 dhe 25 milionë eurosh me bonuse të përfshira, mesfushori francez ka mbërritur sot në Itali për të kryer vizitat mjekësore dhe për të firmosur kontratën 5-vjeçare me klubin zikaltër.
Diouf, 22 vjeç dhe me gjatësi 187 centimetra, ka mbërritur në Milano rreth orës 10:30.
Pas mbërritjes, lojtari është drejtuar drejt Humanitas në Rozzano për pjesën e parë të kontrolleve mjekësore, ndërsa më pas do të kryejë testet për përshtatshmërinë sportive në qendrën e CONI-t.
Për mesfushorin e ri, Interi ka fituar garën kundër disa klubeve europiane. Napoli, West Ham dhe Crystal Palace kishin ofruar rreth 20 milionë euro, por oferta më e lartë e zikaltërve, duke përfshirë bonuset, ka bindur klubin francez të japë dritën jeshile për transferimin.
Diouf pritet të sjellë fizicitet, driblim dhe shpejtësi, elementë që trajneri Cristian Chivu i konsideron thelbësorë për të kompletuar mesfushën e Interit në sezonin e ri. Me cilësitë e tij, ai synon të bëhet një shtyllë kyçe në skemat e zikaltërve që synojnë titujt në Itali dhe në Europë.