Në startin e sezonit të ri të Kategorisë Superiore, Vllaznia ka dhuruar një paraqitje të shkëlqyer para tifozëve të saj në “Loro Boriçi”, duke mposhtur Egnatian me rezultatin 2-0. Kuqeblutë e nisën ndeshjen me agresivitet dhe shpërblimi erdhi shpejt, teksa pas më pak se 20 minutash Gurishta shënoi golin e parë, duke ndezur entuziazmin në shkallët e stadiumit.
Edhe pse Balaj humbi një mundësi të artë nga pika e bardhë, skuadra e Edi Martinit – që u detyrua ta ndiqte takimin nga tribuna pas kartonit të kuq për protesta – tregoi karakter dhe e mbylli ndeshjen me një tjetër gol, këtë herë me autor Bajramin në pjesën e dytë. Për Egnatian, gjithçka u bë edhe më e vështirë pas ndëshkimit me të kuq të Wotlai, duke i lehtësuar Vllaznisë rrugën drejt një debutimi perfekt në kampionat.
Festë në “Loro Boriçi” pa u mbushur 20 minuta lojë: në zhvillimet e një goditjeje këndi, Gurishta i ‘vidhet’ mbrojtjes mike në shtyllën e dytë, aty ku shkon topi, duke e dërguar në rrjetë në një pozicion të vështirë.
Shpërthen entuziazmi mes të pranishmëve në stadium: s’mund të niste më mirë ky takim për Vllazninë, pikërisht përballë ekipit që e mposhti thellë në finalen e kampionatit.
Tjetër mundësi për Vllazninë, këtë herë nga pika e bardhë e penalltisë. Gjyqtarit iu desh të konsultohej me sistemin VAR për të akorduar një 11-metërsh të diskutueshëm, që Balaj e shpërdoroi duke goditur shtyllën.
Pak më herët, trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, u ndëshkua me karton të kuq për protesta.
Vllaznia gjithsesi e gjen golin e dytë në fillim të pjesës së dytë me Bajramin, që i paraprin ndërhyrjes së mbrojtjes në zhvillimet re një goditjeje të lirë, 2-0.