Ministri i Jashtëm hungarez ankohet për sulmin ndaj tubacionit të naftës në Ukrainë, ironizon homologu polak

- Bota Sot

Ministri i Jashtëm hungarez ankohet për sulmin ndaj tubacionit të naftës në Ukrainë, ironizon homologu polak

Ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto, reagoi në rrjetin social X pasi u krye një sulm ndaj tubacionit të naftës “Druzhba”, përmes së cilit Hungaria përkohësisht humbi furnizimin me naftë nga Rusia.

“Mbrëmë, tubacioni i naftës Druzhba u sulmua sërish, për herë të tretë brenda një periudhe të shkurtër, çka ndërpreu furnizimin me naftë për Hungarinë. Ky është një sulm i qartë ndaj sigurisë sonë energjetike dhe një përpjekje tjetër për të na futur në luftë. Kjo nuk do të ketë sukses! Ne angazhohemi për paqe dhe për interesat tona kombëtare”, shkroi ai.

Megjithatë, mesazhi i tij nuk tërhoqi aq shumë vëmendje sa përgjigjja e homologut nga Varshava, ministrit të Jashtëm të Polonisë, Radosław Sikorski.

“Peter, nga ne keni aq solidaritet sa jepni ju për ne”, shkroi Sikorski.

Duke parë popullaritetin e deklaratës së shefit të diplomacisë polake, Szijjarto iu përgjigj, por pa marrë të njëjtën vëmendje.

“Besomëni, nuk bëj gabimin të mendoj për ju kur flitet për solidaritet”, ishte përgjigjja e tij.

Në të vërtetë, qeveritë aktuale të Polonisë dhe Hungarisë janë në një lloj përplasjeje për shkak të qëndrimeve ndaj Ukrainës. Ndërsa Varshava që nga fillimi i konfliktit është në anën e fqinjëve të saj, qeveria e Viktor Orban në Budapest është rreshtuar hapur në krah të Rusisë dhe presidentit të saj, Vladimir Putin.

Para konfliktit ruso-ukrainas, autoritetet e këtyre dy vendeve kishin një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe, së bashku me Republikën Çeke dhe Sllovakinë, formonin Grupin e Visegradit.

Megjithëse ky grup ende ekziston, ai është ndarë në dy blloqe: pro-rus (Sllovakia dhe Hungaria) dhe pro-ukrainas (Polonia dhe Republika Çeke).



Lexoni të gjitha në Bota Sot