Brenda 20 ditëve, nxehtësia ekstreme shkaktoi vdekjen e 1300 njerëzve në Portugali

- Bota Sot

Brenda 20 ditëve, nxehtësia ekstreme shkaktoi vdekjen e 1300 njerëzve në Portugali

Ndërmjet datave 27 korrik dhe 15 gusht, janë raportuar 1331 vdekje më shumë sesa pritej, ku grupmosha mbi 75 vjeç u godit veçanërisht rëndë.

Muajt korrik dhe gusht në Portugali u karakterizuan nga disa paralajmërime për temperatura të larta, të cilat përkuan me një rritje të ndjeshme të vdekshmërisë, raporton euronews.

Sipas të dhënave të analizuara nga gazeta Publico nga Sistemi i Informacionit për Certifikatat e Vdekjes (SICO), 20 ditë rresht kishte vdekshmëri të lart midis 27 korrikut dhe 15 gushtit, që rezultuan në 1331 vdekje, një rritje relative prej 25 për qind.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetit (DGS), vdekjet e tepërta ndodhën në të gjitha rajonet e vendit, por me rritje më të lartë në veri, në zonat qendrore dhe në rajonin jugor të Alentejos.

Autoriteti shëndetësor tha se temperaturat e larta ishin faktori kryesor, duke nxitur dehidratimin dhe duke përkeqësuar sëmundjet kronike, veçanërisht ato kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes, tek personat më të ndjeshëm.

Të dhënat nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Dr. Ricardo Jorge tregojnë se kjo vdekshmëri e tepërt u vërejt kryesisht tek të moshuarit. Nga gjithsej 34 ditë me vdekshmëri të tepërt në korrik dhe gusht, 29 prej tyre përkonin me vdekje më të larta se sa pritej tek grupmosha mbi 70 vjeç.

DGS deklaron se grupmosha mbi 75 vjeç, e cila ka barrën më të madhe të sëmundjeve dhe kapacitetin më të ulët fiziologjik për t’iu përgjigjur nxehtësisë, ishte më e prekura.

Muaji korrik ishte veçanërisht kritik, me dy periudha të nxehti të madh (1–9 dhe 25–31 Korrik).

Instituti Portugez për Detin dhe Atmosferën (IPMA) konfirmoi se ky ishte korriku i 9-të më i nxehtë që nga viti 1931, “me temperatura të ajrit mbi 3 gradë Celsius më të larta se mesatarja mujore më 3, 4, 30 dhe 31.”

Pavarësisht vdekshmërisë së tepërt, të dhënat e grumbulluara deri më 18 gusht tregojnë se numri total i vdekjeve (77,292) është në përputhje me të njëjtën periudhë të vitit 2024 (76,849). Megjithatë, këtë vit spikati muaji korrik me shifra të larta, ndërsa vitin e kaluar kulmi i vdekshmërisë kishte ndodhur në Janar, duke përkuar me përfundimin e epidemisë së gripit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot