Milani heziton

- Bota Sot

Milani heziton

Milani po merr kohë për të vendosur në lidhje me Victor Boniface.

Sulmuesi nigerian kreu të shtunën në mëngjes raundin e tretë të vizitave mjekësore, por klubi kuqezi ende nuk ka vendosur nëse do ta firmosë ose jo lojtarin që po largohet nga Bayer Leverkusen.

Dyshimet e drejtuesve lidhen me gjendjen fizike të 24-vjeçarit, i cili sezonin e kaluar zhvilloi vetëm 27 ndeshje për shkak të dëmtimeve të shpeshta.

Kujtojmë se Boniface ka pësuar dy herë këputje të ligamentit të kryqëzuar, e fundit në sezonin 2020/21. Pikërisht për këtë arsye, kontrollet e fundit janë fokusuar kryesisht te gjuri i majtë.

Vendimi përfundimtar pritet të bëhet publik deri të shtunën në mbrëmje ose, në maksimum, të dielën. Për momentin, marrëveshja me Leverkusenin, që parashikonte huazim me pagesë prej 5 milionë eurosh dhe të drejtë blerjeje për 29 milionë, është pezulluar.

Nga Gjermania theksohet se Boniface ka luajtur së fundmi një miqësore të fshehtë ndaj Roda Kerkrade (dy pjesë nga 30 minuta), me klubin gjerman që ka garantuar për gjendjen e tij fizike.

Ndërkohë, kombëtarja e Nigerisë e ka përfshirë Boniface në listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet e shtatorit në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026. Në të njëjtën listë ndodhet edhe Ademola Lookman, i cili ka qenë gjatë në qendër të thashethemeve të merkatos së fundit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot