Guardiola zbulon se çfarë e shpëtoi atë nga shkarkimi tek Man City sezonin e kaluar

- Bota Sot

Guardiola zbulon se çfarë e shpëtoi atë nga shkarkimi tek Man City sezonin e kaluar

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka zbuluar se çfarë e shpëtoi nga shkarkimi sezonin e kaluar pas një sezoni zhgënjyes 2024/2025. 

Sipas standardeve të larta të klubit, City pati një sezon të dështuar, duke e përfunduar pa asnjë trofe dhe në vendin e tretë në tabelën e Ligës Premier. 

Skuadra gjithashtu pati një seri prej nëntë humbjesh në 12 ndeshje në të gjitha garat drejt fundit të vitit 2024.  

Guardiola pranoi se, po të mos ishte për mbështetjen e kryetarit të klubit Khaldoon Al Mubarak dhe ish-drejtorit sportiv Txiki Begiristain, ai mund të ishte shkarkuar nga posti i trajnerit. 

“Jam vërtet i lumtur që jam ende këtu pas një sezoni të keq. Po të mos i kisha kryetarin dhe drejtorin sportiv që kam, do të isha shkarkuar, pa diskutim”. 

“Sepse rezultatet ishin vërtet shumë të dobëta. Tani është një sezon i ri, kemi bërë gjashtë apo shtatë transferime mes afatit kalimtar të janarit dhe tani”. 

“Futbolli është kështu, fiton ose humbet dhe pastaj, cili është kapitulli tjetër? Kapitulli tjetër është ky sezon, dhe askush nuk e di çfarë do të ndodhë. Por besoj se kemi dëshirën për të bërë mirë”, ka thënë tekniku katalanas. 

Guardiola kishte ende mjaftueshëm “kredi” në klub për të mos u shkarkuar, pasi kishte fituar më parë një Ligë të Kampionëve, gjashtë tituj të Ligës Premier, si dhe disa herë FA Cup dhe Carabao Cup. 

Megjithatë, ish-trajneri i Barcelonës do të jetë i vendosur që këtë sezon ta rikthejë ekipin e tij në rrugën e fitoreve.



Lexoni të gjitha në Bota Sot