Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde deklaroi sot se ndikimi i punëtorëve të huaj i ka dhënë ekonomisë së eurozonës një shtytje në vitet e fundit, duke ndihmuar në kompensimin e orëve më të shkurtra të punës dhe pagave më të ulëta reale.
Migrimi në Bashkimin Evropian e rriti popullsinë në një nivel rekord vitin e kaluar, pavarësisht një rënieje të shkallës së lindjeve, raporton KosovaPress.
Lagarde theksoi se rritja e numrit të punëtorëve nga vendet jashtë grupit të 20 vendeve që përdorin euron si monedhë të tyre ka kontribuar në qëndrueshmërinë e ekonomisë, pavarësisht një tendence në rritje drejt orëve më të shkurtra të punës dhe një rënieje të standardeve të jetesës në disa sektorë.
“Edhe pse ata përbënin vetëm rreth 9 për qind të fuqisë punëtore totale në vitin 2022, punëtorët e huaj kanë përbërë gjysmën e rritjes së saj gjatë tri vjetëve të fundit”, tha Lagarde në një fjalim në simpoziumin vjetor të Rezervës Federale të SHBA-së në Jackson Hole, Wyoming.
“Pa këtë kontribut, kushtet e tregut të punës do të ishin më të forta dhe prodhimi do të ishte më i ulët”, shtoi ajo.
Një numër në rritje votuesish po i drejtohen partive të krahut të djathtë për shkak të emigrantëve.
Lagarde tha se prodhimi i brendshëm bruto i Gjermanisë pa punëtorë të huaj do të ishte rreth 6 për qind më i ulët se në vitin 2019, dhe ajo ia atribuoi rimëkëmbjen e fortë të Spanjës nga Covid-19 në një pjesë të madhe punëtorëve të huaj.
Popullsia e BE-së u rrit në një rekord prej 450.4 milionë vitin e kaluar për shkak të një fluksi të madh emigrantësh, edhe pse BE ka parë rënie të popullsisë së saj për katër vjet rresht.