“Ka shumë gjëra për të cilat duhet të jemi entuziastë. Një pasdite vërtet pozitive për të nisur sezonin në shtëpi”.
Me këto fjalë nisi deklaratën e tij pas fitores 5-0 ndaj Leeds, Mikel Arteta, trajneri i Arsenalit, që e ka nisur në mënyrën më të mirë sezonin 2025-26 të Premier League, me dy fitore radhazi. Duke folur për Sky Sports UK, spanjolli shtoi:
“Energjia u ndje që në fillim, ishte në një nivel më të lartë dhe pikërisht këtë po kërkonim. Skuadra luajti shumë mirë, me besim të madh. Krijoi shumë dhe nuk lejoi asgjë. Pesë gola dhe porta e paprekur: një fillim i shkëlqyer”.
Më tej, ai vazhdoi:
“Kemi aftësinë të shënojmë në mënyra të ndryshme. Jam shumë i lumtur për Viktor (Gyökeres), që shënoi dy golat e tij të parë, si dhe për Jurrien (Timber), që gjeti rrjetën dy herë pas një dëmtimi të gjatë dhe shumë pune të vështirë. Dhe pastaj pati edhe debutimet e Mosquera-s dhe Max (Dowman), që është vetëm 15 vjeç: ishte diçka vërtet speciale”.
Megjithatë, mbrëmjen e prishën dëmtimet e Martin Odegaard dhe Bukayo Saka. Për këtë, Arteta tha:
“Për Martin duket si problem në shpatull, ndaj nesër do të bëjmë një rezonancë për të kuptuar sa është serioze. Bukayo u detyrua të dilte pas një sprinti; teksa po luftonte me mbrojtësin ndjeu diçka në bicepsin femoral, mendoj. Është në anën tjetër nga dëmtimi i mëparshëm, por gjithsesi është një lajm i keq”.
Trajneri i Arsenalit shtoi:
“Nuk e di sa gjatë do të mungojnë. Kemi humbur tashmë Kai (Havertz), që është një lojtar i rëndësishëm për ne, dhe tani edhe Bukayo e Martin. Ja pse skuadra duhet të jetë e pajisur mirë. Do të jetë një sezon i gjatë dhe do të kemi nevojë për shumë lojtarë për të arritur objektivat tanë”.